Kosova

Gjuajtën me armë zjarri, arrestohen dy persona në Prishtinë


Policia e Kosovës

Policia e Kosovës ka njoftuar të shtunën se ka arrestuar dy persona në Prishtinë, pasi që të njëjtit dyshohen se kanë shtënë me armë zjarri disa herë në ajër.

Lajmi është bërë i ditur në raportin 24-orësh të policisë, të cilët kanë njoftuar se gjatë kontrollit, dy të dyshuarve u janë gjetur dhe sekuestruar dy pistoleta dhe një karikator.

“Janë arrestuar dy të dyshuarit meshkuj kosovarë, pasi që të njëjtit kishin shtënë disa herë në ajër me armë zjarri. Gjatë kontrollit, te të dyshuarit janë gjetur dhe sekuestruar: dy pistoletë dhe një karikator, ndërsa në vend të ngjarjes janë gjetur tetë gëzhoja”, thuhet në raport.

Bëhet me dije se të dyshuarit, me vendim të prokurorit janë liruar, dhe se rasti shkon në procedurë të rregullt.

Nga policia nuk kanë dhënë detaje shtesë nëse si pasojë e këtyre të shtënave është shkaktuar ndonjë dëm.

Edhe në fshatin Sllakovc të Vushtrrisë bëhet e ditur se janë arrestuar dy të dyshuar, pasi kishin shtënë disa herë në ajër me armë zjarri.

“Gjatë kontrollit, te të dyshuarit janë gjetur dhe sekuestruar: dy pistoletë dhe 14 fishekë 9 mm me dy karikatorë, ndërsa në vend të ngjarjes janë gjetur disa gëzhoja. Me vendim të prokurorit të dyshuarit lirohen, rasti shkon në procedurë të rregullt”, njofton Policia e Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore