Shqipëria

GJKKO shtyn seancën për gjykim ndaj ish-kreut të Kushtetueses


Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), të premten e 10 dhjetorit ka shtyrë seancën për shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme për të gjykuar ish-kreun e Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja.

Seanca ndaj Dedjas do të zhvillohet më 8 janar dhe shtyrja e saj ka ardhur, pasi SPAK nuk i kishte përfunduar të gjitha veprimet hetimore të nevojshme.

Po ashtu, edhe pala mbrojtëse nuk ishte e pranishme.

Më 20 shtator, GJKKO-ja shtyu seancën paraprake për plotësim të hetimeve ndaj Dedjas. Edhe pala mbrojtëse kërkoi që të njihet më tej me aktet e dosjes së hapur për Bashkim Dedjan.

Më 3 gusht, SPAK-u, pas përfundimit të hetimeve për mosdeklarim dhe fshehje pasurie, dërgoi për gjykim dosjen e tij në GJKKO.

Bashkim Dedja akuzohet për kryerjen e veprës penale, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.

Më 28 prill, me kërkesë të SPAK-ut, GJKKO-ja sekuestroi pasurinë e Dedjas.

Këtij të fundit iu sekuestrua një apartament 60 m2 në Golem.

Hetimet për Dedjan nisën që në maj të vitit 2020, ku rezultoi se ish-kreu i Kushtetueses kishte në pronësi pasuri të paluajtshme, të cilat nuk i justifikonte dot.

Procesi i vetting-ut

Në dhjetor të vitit 2018, Dedja nuk e kaloi me sukses fazën e Vetting-ut. Ai u shkarkua nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit me arsyetimin se nuk justifikonte pasurinë e tij dhe nuk shpjegonte burimin e të ardhurave financiare.

Rrjedhimisht, KPA-ja hodhi poshtë vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të Dedjas.

Ai u konfirmua në detyrë në dhjetor të vitit 2018 nga KPK-ja, megjithëse gjatë hetimeve administrative, u vërejtën një sërë shkeljesh në deklarimin e pasurisë.

Fill pas vendimit, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit e kundërshtoi KPK-në, duke këkuar nga Komisioneri Publik që të ankimonte në KPA.

Në korrik 2018, Komisioneri apeloi vendimin në KPA.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore