Shqipëria

GJKKO: Sekuestro preventive për pasurinë e ish-kryebashkiakut të Himarës, Jorgo Goro


Gjykata e Posaçme ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për të vënë në sekuestro preventive pasuritë e ish-kryebashkiakut të Himarës, Jorgo Goro.

Ky i fundit ndodhet në qeli, pasi akuzohet për tjetërsim pronash në bregdet.

Kundër këtij vendimi mund të ushtrohet rekurs nga cilido që ka interes në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve, duke nisur ky afat nga dita e nesërme e marrjes dijeni për vendimin e arsyetuar.

SPAK njoftoi se nga analiza e provave të marra deri në këtë fazë të hetimit është krijuar dyshimi i arsyeshëm se, Goro në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Himarë, në dy episode të ndryshme ka kryer veprime në kundërshtim me ligjin, të cilat përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës.

Kjo duke sjellë dhe pasojën kriminale në kuptim të dispozitës për të cilën hetohet.

“Ky shtetas, në bashkëpunim me shtetasin tjetër nën hetim J.B., pa bërë asnjë verifikim konkret sipas detyrimeve ligjore, kanë përcjellë pranë organeve kompetente dokumenta tërësisht të falsifikuara duke bërë të mundur më pas regjistrimin e një sipërfaqe prej 5512 m2 tokë bujqësore në pronësi shtet, në favor të subjektit privat. Kjo sipërfaqe toke e ndodhur në Dhërmi, Vlorë, pas regjistrimit në regjistrat publikë falë edhe veprimeve të kundërligjshme të personave përgjegjës (shtetasve të tjerë nën hetim B.A. dhe V.GJ.) është tjetërsuar në favor të një subjekti privat, duke zhveshur shtetin nga pronësia mbi të”.

SPAK thotë se Gjykata e Posaçme ka caktuar arrest shtëpie për tre zyrtarë dhe për Stavri Mëhillin.

Ndërkohë që në “Arrest shtëpie” u lanë shtetasit: Jerasimo Bashi, drejtor i Drejtorisë së Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës, në Bashkinë e Himarës, Bilbil Aliaj, ish-drejtor i ASHK-së Vlorë, si dhe Vezir Gjikoka jurist pranë Kadastrës së Vlorës.

Ata akuzohen për shpërdorim detyre.

Mëhilli akuzohet për veprën penale “Falsifikimi i dokumentave”, më shumë se një herë, dhe “Falsifikimi i vulave, i stampave, ose i formularëve”, më shumë se një herë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore