Shqipëria

GJKKO rrëzon kërkesën e Belerit për përjashtim të gjyqtarëve


Gjykata e Posaçme ka rrëzuar kërkesën e avokatëve të Fredi Belerit për përjashtimin nga trupa gjykuese të gjyqtarëve Erion Çela dhe Irena Gjokës me pretendimin se janë treguar të njëanshëm.

Ndërkohë, seanca është shtyrë për në datën 10 janar.

Në seancën e kësaj të premteje mësohet se janë paraqitur pesë dëshmitarë, Mes tyre një gazetar lokal që intervistoi Avdyl Ramën, vëllain e bashkëpunëtorit të drejtësisë Arsen Ramës.

Sakaq, të tjerët kanë qenë banorë të Himarës.

Bëhet me dije se avokatët kanë paraqitur kërkesën që në listën e dëshmitarëve të thërriten kancelari i gjykatës së Vlorës dhe ai i prokurorisë së të njëjtit qytet.

Dhe kërkesa e avokatëve që të thirren edhe dy dëshmitarët është pranuar.

Vetë Beleri ishte i pranishëm në seancë dhe parashtroi disa pretendime.

“Çështja është montuar keq. Prokuroria e Vlorës është vënë në shërbim të policisë dhe janë manipuluar provat. Kam kërkuar informacione për personat që kanë falsifikuar provat.  Këto informacione janë të nevojshme një mbrojtje normale”, ka thënë ai.

“Më kanë futur në burg me një dëshmi penaliteti të falsifikuar. Vijon manipulimi nga Prokuroria, nuk dihet për çfarë arsyesh. Ndihem i ofenduar dhe i diskriminuar. Kërkojnë me doemos të më dënojnë”, ka shtuar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore