GJKKO refuzon garancinë pasurore të Beqajt, lë në burg ish-ministrin

Brixhilda Xhuraj
06.07.2024 19:00
Loading Icons...

Pas më shumë se gjashtë orëve seancë, Gjykata e Posaçme ka lënë në burg ish-ministrin Ilir Beqaj dhe bashkëpunëtorin e tij Ermal Kurtulajn, të akuzuar për abuzim me fondet e Bashkimit Evropian në SASPAC.

Kjo pavarësisht se kërkuan liri me kusht duke vendosur një garanci pasurore.

Ndërkaq një ndryshim i masës së sigurisë u bë për bashkëpunëtorin tjetër, Alfred Nikolla, i cili u la në arrest shtëpie.

Mbrojtja e ish-ministrit theksoi se “nuk janë shkelur rregullat e BE-së që njihen si prag në gjuhën juridike dhe s’është përcaktuar cili nen është shkelur nga zoti Beqaj”.

“Nuk është lëshuar asnjë faturë fiktive, ish-ministri nuk ka lidhje me restorantin”, ishin pretendimet e avokatëve.

Sa kaq në seancë ishte i pranishëm edhe kreu i Prokurorisë së Posaçme Altin Dumani.

Beqaj u arrestua dy ditë më parë, pasi akuzohet për abuzim me fondet e BE-së gjatë kohës që ka qenë drejtori i SASPAC.

SPAK njoftoi se Beqaj në cilësinë e drejtorit, duke vepruar si urdhërues në bashkëpunim me Kurtulajn, i emëruar nga vetë ai më 26 maj 2022 si koordinator i zyrës “Facility Point” për projektin EUSAIR, në SASPAC, përgjatë viteve 2022-2023 dyshohet se kanë kryer procedura prokurimi fiktive në kundërshtim me rregullat.

Sipas Prokurorisë, të paktën tetë shërbimet e prokuruara në kuadër të eventeve: “Mbi organizimin e Konferencës FESTA (E Ardhmja e Turizmit të Qëndrueshëm Mjedisor në Shqipëri”, si dhe “Konferenca e Energjitikës”, organizuar në vitin 2023 nuk i janë nënshtruar një procedure prokurimi të rregullt, por fituesi është dakordësuar dhe përcaktuar shumë më para se të realizohet procedura e prokurimit, e cila është kryer në mënyrë fiktive më pas, për efekt dokumentacioni dhe pagese.

Këto tendera janë zhvilluar me procedurë negocimi konkuruese apo prokurim të thjeshtë, të cilat janë urdhëruar për t’u kryer nga Beqaj në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm.

Dosja

Albanian Post e ka parë dokumentin e SPAK sa i takon këtyre hetimeve, ku kryesisht restoranti Gzona, i njohur në Tiranë, është përdorur sipas Prokurorisë nga Beqaj dhe bashkëpunëtorët e tij në këtë aferë.

Personat kryesorë të implikuar janë vetë Beqaj, edhe si ish-drejtues në Agjencinë SASPAC, Ermal Kurtulaj, njohje e hershme dhe bashkëpunëtor i ish-ministrit, si edhe Gazmend Prenga, i cili është administrator i biznesit në fushën e shërbimeve.

Fillimisht, duhet kuptuar se si Beqaj ishte në realitet “ortaku” i fshehtë në biznes.

Restoranti Gzona është në pronësi të shoqërisë tregtare Albanian Food and Hospitality dhe nga ekstrakti historik, rezulton se ortake e mëparshme në këtë biznes ka qenë edhe shtetasja Adriana Beqaj, bashkëshortja e Ilir Beqajt, në kuotën prej 50% të aksioneve.

Më 1 mars 2019, ajo i ka falur 35% të kuotave të saj një ortaku tjetër, Arti Malaj, i cili pas kësaj “dhurate” i ka ngritur kuotat e tij në 85% të gjithë kompanisë.

Adriana Beqaj ka mbetur kështu me 15% të kuotave, të cilat sërish i ka shitur më vonë tek Malaj, i cili është bërë pronar i 100% të aksioneve të kompanisë.

Më 12 gusht 2021, ai i ka shitur të gjitha kuotat te shtetasi Eduard Curri.

Ky i fundit, rezulton edhe ortak pranë disa shoqërive aksionare, ku ajo që spikat më shumë është Delta Holding, operuese në fushën e farmaceutikës dhe pjesë e hetimeve të SPAK lidhur me Beqajn, ku dyshohet se kjo kompani është favorizuar në tenderime.

Komunikimet e faturave

Në hetimet e SPAK rezulton të ketë pasur biseda mes Ermal Kurtulajt dhe Gazmend Prengës, sa i takon prerjes së disa faurave të lëshuara, të cilat mendohet se janë fiktive.

Në këto përgjime, rezulton se lidhjet janë për një faturë të lëshuar nga shoqëria ME’NAM SHPK, në pronësi të shtetasit Fisnik Fili, kundrejt një subjekti në fushën e zbatimit të programeve.

Kjo e fundit rezulton se ka të punësuar si koordinator projektesh shtetasin Edmond Sinani, i cili ka qenë pjesë e SASPAC (Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës) ku Beqaj ka qenë drejtor.

Vlera e kësaj fature kap 111 mijë e 500 lekë.

Në komunikime, Kurtulaj dhe Prenga rezulton të flasin:

K: Gazi?

P: Hë shok?

K: Sa është fatura e darkës së maqedonasve?

P: Nuk e kam printu.

K: Po shkruje içik pra, t’më thuash vlerën se nuk do e presësh ti, do presim diku tjetër, po thjesht sa është si vlerë.

P: Se sa mund të shkojë?

K: Sa është totali që duhet të shkruaj unë te ata, kupton?

P: Shumë mirë, në rregull.

Në komunikimet në vazhdim, lihet të kuptohet se faturat në organizimin e eventeve tek Gzona i ka faturuar Fisnik Fili në të paktën dy raste sipas vlerave, ku Ermal Kurtulaj i referon atij që do të lëshohen fatura të tjera për Fisnikun, për efekt të TVSH.

Më tej në bisedë i thuhet se që të mos ketë probleme, do të bëjnë edhe një faturë tjetër, që të zbriten TVSH-të dhe që punët të jenë në rregull.

Po ashtu nga SPAK janë verifikuar edhe blerjet e kryera nga shoqëria ME’NAM, por pa konstatuar faturë blerjeje në lidhje me këto komunikime.

Të fundit

Aktuale