GJKKO lë në burg Jorgo Goron, ish-kreun e Bashkisë Himarë

SHFLETO
Vitjon Nina
26.06.2024 13:58
Loading Icons...

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në burg ish-kreun e Bashkisë Himarë, Jorgo Goro, duke rrëzuar kërkesën e këtij të fundit për një masë sigurie më të lehtësuar.

Kështu, duke e lënë atë nën masën e sigurisë arrest me burg.

E njëjta situatë ka ndodhur edhe dy muaj më parë me Goron, kur më 30 prill, GJKKO e ka rrëzuar kërkesën e tij për zëvendësim të masës së sigurisë.

Ai akuzohet për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal, kryer dy herë.

SPAK njoftoi se nga analiza e provave të marra deri në këtë fazë të hetimit është krijuar dyshimi i arsyeshëm se, Goro në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Himarë, në dy episode të ndryshme ka kryer veprime në kundërshtim me ligjin, të cilat përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës.

Kjo duke sjellë dhe pasojën kriminale në kuptim të dispozitës për të cilën hetohet.

“Ky shtetas, në bashkëpunim me shtetasin tjetër nën hetim J.B., pa bërë asnjë verifikim konkret sipas detyrimeve ligjore, kanë përcjellë pranë organeve kompetente dokumenta tërësisht të falsifikuara duke bërë të mundur më pas regjistrimin e një sipërfaqe prej 5512 m2 tokë bujqësore në pronësi shtet, në favor të subjektit privat. Kjo sipërfaqe toke e ndodhur në Dhërmi, Vlorë, pas regjistrimit në regjistrat publikë falë edhe veprimeve të kundërligjshme të personave përgjegjës (shtetasve të tjerë nën hetim B.A. dhe V.GJ.) është tjetërsuar në favor të një subjekti privat, duke zhveshur shtetin nga pronësia mbi të”.

SPAK thotë se Gjykata e Posaçme ka caktuar arrest shtëpie për tre zyrtarë dhe për Stavri Mëhillin.

Ndërkohë që në “Arrest shtëpie” u lanë shtetasit: Jerasimo Bashi, drejtor i Drejtorisë së Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës, në Bashkinë e Himarës, Bilbil Aliaj, ish-drejtor i ASHK-së Vlorë, si dhe Vezir Gjikoka jurist pranë Kadastrës së Vlorës.

Ata akuzohen për shpërdorim detyre.

Mëhilli akuzohet për veprën penale “Falsifikimi i dokumentave”, më shumë se një herë, dhe “Falsifikimi i vulave, i stampave, ose i formularëve”, më shumë se një herë.