Shqipëria

GJKKO lë në burg dy prej të akuzuarve për atentatin ndaj ish-prokurorit Ndoj


Gjykata e Posaçme ka lënë prapa hekurave dy prej të akuzuarve për përfshirjen në atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoj.

Julian Pjetri dhe Genti Nderjaku kërkuan ndryshimin e masës së sigurisë, por GJKKO ka lënë në fuqi vendimin e 21 korrikut të “arresti me burg”.

“Në seancën gjyqësor të datës 07.12.2023 prokuroria kërkoi vazhdimin e masave të sigurimit, ndërsa personat nën hetim J.P dhe G.N kërkuan zëvendësimin e masës së sigurimit me një masë më të butë”, thuhet në njoftimin e GJKKO-së.

Më parë, SPAK ka caktuar një masë të dytë sigurie për grupin që i bënë atentat ish-prokurorit Arjan Ndoj dhe Aleksandër Lahos (Rrumi i Shijkut) – pasi akuzohen për trafik droge.

Nga hetimet e thelluara, ka rezultuar se këta persona përveç ngjarjes kriminale të nëntorit 2019, janë përfshirë edhe në trafikimin e sasive të mëdha të kokainës në vende të Bashkimit Evropian.

Burime pranë institucionit të akuzës kanë bërë me dije se anëtarët e këtij grupi janë përfshirë në këtë aktivitet kriminal brenda dhe jashtë vendit.

Gjykata e Posaçme ka miratuar kërkesën e prokurorisë duke caktuar arrest me burg për Ramazan Rrahjen, Julian Pjetrit, Gent Nerjaku alias Akil Nerjaku e Bashkim Haxhinë.

Në vitin 2019, në autostradën Durrës-Tiranë, pranë mbikalimit të Shkozetit, u tentua të vritet me armë zjarri shtetasi A. N., me detyrë prokuror i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, i cili qarkullonte me automjet, së bashku me 2 shtetas të tjerë.

Si pasojë e të shtënave u plagos rëndë dhe ndërroi jetë në spital shtetasi A. M. (shoferi i prokurorit) dhe ka mbetur i plagosur prokurori, shtetasi A. N.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore