Shqipëria

Gjithçka gati për zgjedhje – Qendrat e votimit marrin bazën materiale


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se ka përfunduar shpërndarjen e bazës materiale për zgjedhjet e pjesshme në të gjashta bashkitë ku do të garohet dhe në çdo zonë, pavarësisht largësisë në distancë apo kushteve të vështira atmosferike.

Në tërësi, janë 942 zona zgjedhore ku do të votohet, në bashkitë e Shkodrës, Dibrës, Durrësit, Lushnjës, Rrogozhinës dhe Vorës.

Në këtë të fundit, nga ana e KQZ-së, është bërë me dije se janë dorëzuar të gjitha pajisjet për kryerjen e votimit elektronik. Kjo, pasi Vora do të shohë një proces të plotë votimi elektronik në këto zgjedhje të pjesshme.

Dorëzimi më i vështirë ka qenë në zonat më të largëta malore, në njësitë administrative Shalë, Shoshë dhe Pult. Reshjet e dendura të borës e kanë vështirësuar kalimin e materialeve zgjedhore në ato zona, por gjithsesi, procesi është përmbyllur me sukses, natën përpara votimeve.

Në garantimin e materialeve zgjedhore, kanë qenë edhe Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura, së bashku me Policinë e Shtetit, të cilat kanë shoqëruar dhe patrulluar mjetet e transportit të materialeve zgjedhore.

Tashmë, fjala i kalon qytetarëve, të cilët jetojnë në gjashtë bashkitë ku garohet më 6 mars.

Në tërësi, janë rreth 690 mijë qytetarë me të drejtë vote.

Kandidatët në të gjitha zonat, kryesisht vijnë nga tre fronte: Partia Socialiste, Partia Demokratike dhe lëvizja e Sali Berishës nën siglën Shtëpia e Lirisë, në koalicion me Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe Partinë Demokristiane.

Vetëm në Dibër, garon edhe një kandidat i katërt, nën siglën e partisë Lëvizja e Re.

Rezultati zgjedhor është premtuar të dalë brenda 48 orësh, nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore