Shqipëria

Gjikuria: Jam fitues në Himarë, ftoj Tavon të punojë për mua


Kandidati i opozitës për zgjedhjet në Himarë, Petro Gjikuria, ka reaguar pas përfundimit të procesit të votimit.

Ai shprehu bindjen se do të jetë fitues, dhe e ftoi kanditatin tjetër Vangjel Tavo, që të punojë për të.

Gjikuria për mediat ka falënderuar të gjithë himarjotët  – që sipas tij e mbështetën në këtë fushatë të shkurtër.

“I falënderoj që panë në fytyrën time një njeri që mund të bënte diçka për Himarën”.

“Do të jem këtu për numërimin. Himarjotët kanë verdiktin e tyre, ata folën. Mendoj që asnjë njeri nuk do t’i prekë këto kuti”.

Votimi

Qendrat e votimit janë mbyllur në të gjithë territorin e bashkisë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë me dije se nga informacionet paraprake dhe të dhënat e raportuara, nga pjesëmarrja në zgjedhje rezulton 8 mijë e 333 zgjedhës, ose 37.61% e totalit të 23.074 zgjedhësve në listë.

Komisionet e QV po përgatiten për të dorëzuar kutitë e votimit dhe materialet zgjedhore në KZAZ-në nr. 88, për t’i hapur rrugë procesit të numërimit të votave.

Procesi i numërimit të votave do të fillojë kur të mbërrijë në KZAZ edhe kutia e fundit e votimit nga QV me largët.

Procesi i votimit në 36 QV ka vijuar i qetë ndërkohë që zgjedhësit janë identifikuar elektronikisht dhe sistemi PEI ka rezultuar krejt i suksesshëm.

“KQZ e ndoqi në dinamikë ecurinë e procesit, duke ndërhyrë në rastet kur u kërkua asistencë nga ana e Komisionerëve të Qendrave të Votimit”.

Që prej orës 7:00 të mëngjesit qytetarët kanë shprehur pëlqimin e tyre me votë mes dy kandidatëve për postin, Vangjel Tavo i PS-së dhe Petro Gjikuria i PD-së.

Procesi i votimit ishte i qetë, por një nga problemet që u shfaq ishte se rreth 6 mijë zgjedhës rezultonin me karta identiteti të skaduara.

Ndryshe nga zgjedhjet e fundit – kur vlefshmëria e kartave të skaduara u shty në shkallë kombëtare – sot zgjedhësit nuk u lejuan të votojnë.

Qytetarët kishin të drejtë të votonin në 36 qendra votimi për kandidatët e tyre, të cilët nuk kanë jetuar në Himarë.

Gjikuria është një sipërmarrës me origjinë nga Dhërmiu që migroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa Tavo është një politikan që ka përfaqësuar në Parlament zonë e Dropullit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore