Gjiknuri i kalon Klosit detyrën e sekretarit të përgjithshëm: PS reflekton edhe pasi fiton
Rajmonda Basha
28.07.2023 11:15Damian Gjiknuri i ka kaluar sot zyrtarisht detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të PS-së, kolegut të tij, Blendi Klosi. Në një deklaratë për mediat ai tha se PS reflekton edhe pasi fiton.
Gjiknuri theksoi se PS ka nisur një analizë për rezultatin në zgjedhje, ndërsa paralajmëroi se në shtator do të nisë procesi zgjedhor në parti.
“Kjo është një ditë e veçantë për mua, pasi pas 2 vitesh ia dorëzoj këtë detyrë një kolegu të nderuar. PS iu nënshtrua një procesi riorganizimi. PS iu nënshtruar një organizimi që nga drejtimi i partisë deri te sekretariatet. Rezultati i zgjedhjeve të fundit PS arriti që të merrte një fitore historike”.
Ndër të tjera tha se PS ka nisur një proces analize mbi këtë rezultat, dhe sekretariatit iu ofrua që të jepej dorëheqje.
“Organizatat janë të forta dhe të qëndrueshme kur nxjerrin mësim dhe nga fitoret. I uroj Klosit, që do të dijë të çojë në një stad të mirë organizimin në funksion të betejave elektorale. Suksese”.
Sa i përket shkarkimit të tij nga kryeministri Edi Rama, Gjiknuri tha se “nuk ndjej asnjë lloj braktisje, jam në komunikim të vazhdueshëm me kreun e partisë”.
“Vendimet duhen para në kontekst të gjerë. Nuk ndihem i keqardhur. Jam mësuar të lëviz në pozicione të ndryshme. Më pëlqen që ta shoh veten në pozicione prej 360 gradë”.
Ndërsa i pyetur në lidhje me çështjen e inceneratorëve, Gjiknuri tha se ai është i gatshëm që të japë llogari para drejtësisë.
” Unë jam mësuar me këto akuza! Përballjes sime politike si në opozitë ashtu edhe në pushtet. Unë jam akuzuar gjithmonë. Jam akuzuar për 600 mln euro të cez. Unë bashkëpunova me drejtësinë edhe e vërtet doli ditën për diell. Nuk është hera e parë që akuzohem, por ka një drejtësi që i vlerëson këto gjëra, jo opinion publik që divesfikohet nga palë politike. Ligji do të flasë të vërtetën. Në çdo moment që të më thërrasin do jap llogari. Roli im ka qenë periferik. Jam me bindjen se janë vepra në dobishmëri të publikut. Elbasani është me impiant që funksionon”, shtoi ai.
Tashmë sekretar i PS-së është Blendi Klosi, i cili pritet ta mbajë deri në shtator të këtij viti, kohë kur Asambleja do të mblidhet sërish, për të miratuar figurat e reja në sekretariat.
Në fjalën e tij, Klosi theksoi se paraardhësi i tij ka bërë punë shumë të mirë, teksa theksoi se kjo është një detyrë shumë e rëndësishme.
“Sot në ditën time të parë si sekretar i Përgjithshëm të PS-së. Kemi nderin krenarinë dhe fatin që i kemi këto detyra. Ne bëjmë ndryshime për të përmirësuar veten tonë”.