Shqipëria

Gjiknuri: “Çunat e Londrës” do të përfitojnë nga amnistia për të ardhurat e fituara nga aktivitete të ligjshme


Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste Damian Gjiknuri, u bëri thirrje emigrantëve shqiptarë në Britaninë e Madhe që të vijnë të investojnë në Shqipëri dhe të përfitojnë nga nisma e re e qeverisë për të aministuar të ardhurat e fituara nga aktivitete të ligjshme.

“Nga ana tjetër ne po ndërmarrim një politikë tjetër shumë të guximshme. Shumë shpejt do miratojmë edhe ligjin për amnistinë fiskale Kjo është një mundësi e mirë që qeveria shqiptare po e bën për të legalizuar, për të amnistuar të gjithë këtë para që vjen nga mundi i shumë shqiptarëve”.

Gjatë bashkëbisedimit me një grup përfaqësuesish shqiptarë që punojnë dhe jetojnë në Londër, Gjiknuri nënvizoi se nga nisma e re, të rinjtë që punojnë dhe jetojnë në Britaninë e Madhe mund të përfitojnë nga amnistia vetëm për të ardhurat nga aktivitete të ligjshme.

“Unë e di shumë mirë realitetin. Njerëz këtu mund të punojnë me emra të tjerë, njerëz këtu mund të punojë dhe në të zezë, punojnë në firma ndërtimi, në bujqësi”.

Kjo është një mundësi shumë e mirë, tha Gjiknuri, sepse “keni mundësi  të legalizoni paratë tuaja dhe t’i investoni në Shqipëri me një pagesë minimale takse”.

Në fjalën e tij, Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, tha se “çunat e Londrës” paragjykohen në rastet kur duan të kryejnë transferta bankare.

“Nganjëherë kanë vështirësi për transfertat bankare për të ardhurat e tyre. Përse? Sepse autoritetet kërkojnë llogari. Janë burokraci, ka paragjykim. Se kështu është bota plot paragjykime. Jo erdhën këto çunat e Londrës, jo erdhën çunat e Londrës, pse more çfarë kanë çunat e Londrës?!  Njerëz si të gjithë janë, janë njerëz që kanë marrë rrisqet e tyre, duan të ndërtojnë jetën e tyre”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore