Aplikacione

Gjigantët e teknologjisë do të vetë-rregullojnë përmbajtjet e dëmshme në Zelandën e Re


Kompanitë e mëdha të teknologjisë kanë rënë dakord për të reduktuar përmbajtjen e dëmshme në internet në Zelandën e Re.

Por lëvizja e ndërmarrë prej tyre, për kritikët, ka shmangur alternativën e rregullimit të qeverisë.

Sipas një grupi të financuar nga qeveria për sigurinë në internet të quajtur Netsafe, Meta Platforms, Google, TikTok, Amazon.com dhe Twitter kanë nënshkruar një kod praktike.

Ato do të ndjekin kodin si vetë-rregullim, ka thënë shefi i grupit, Brent Carey.

“Ka shumë që ngacmohen dhe abuzohen në internet, kjo është arsyeja pse industria është mbledhur së bashku për të mbrojtur përdoruesit”, ka treguar Carey.

Grupi i lobimit të industrisë NZTech do të jetë përgjegjës për përmbushjen e detyrimeve nga kompanitë, të cilat përfshijnë reduktimin e përmbajtjes së dëmshme në internet, raportimin se si e bëjnë këtë dhe mbështetjen e vlerësimit të pavarur të rezultateve.

“Shpresojmë që korniza e qeverisjes do t’i mundësojë të evoluojë së bashku me kushtet lokale, duke respektuar në të njëjtën kohë të drejtat themelore të lirisë së shprehjes”, ka thënë shefi i saj, Graeme Muller.

Sakaq, kompanitë Meta dhe TikTok kanë deklaruar se ishin entuziaste për kodin që i bën platformat online më të sigurta dhe më transparente.

Megjithatë, grupet e interesit duan më shumë detaje në lidhje me sanksionet për çdo dështim nga kompanitë dhe për një mekanizëm për ankesat publike.

Gjithashtu shprehin shqetësimin se pakti administrohet nga një organ i industrisë, jo nga qeveria.

“Kjo është një përpjekje e dobët për të parandaluar rregullimin duke promovuar një model të udhëhequr nga industria”, ka thënë Mandy Henk, shefi ekzekutiv i një organizatë jofitimprurëse.

Zelanda e Re ka qenë lider në përpjekjet për të zhdukur ekstremizmin e dhunshëm në internet.

Marrë nga “Reuters”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore