Lajme

Gjesti heroik i modeles Gisele Bundchen dhe dashuria e saj për kafshët


Supermodelja braziliane, Gisele Bundchen ka treguar edhe njëherë dashurinë e saj për kafshët.

Përmes një video të cilën e shpërndau në median sociale Instagram, Bundchen tregon se si shpëtoi një breshkë e cila ndodhej në një rrjetë peshkimi.

Ajo shfaqet e ulur pranë krijesës, duke hequr me kujdes rrjetën në të cilën kishte përfunduar breshka. Pasi e shpëtoi atë nga rrjeta, ajo e dërgon në habitatin e saj.

Bundchen shkruan në Instagram: “Sot herët në mëngjes teksa po ecja në plazh, qeni im Onyx, filloi të leh drejtë një grumbull plehrash pranë oqeanit, të cilat kishin dal në breg gjatë baticës. Kur u afrova, pashë këtë breshkë të bukur, të kthyer përmbys, me një vështrim dëshpërimi dhe rraskapitjeje në sytë e saj”.

“Menjëherë fillova ta çliroja nga rrjeta që po e mbyste, por edhe pasi e zgjidhëm, ajo nuk kishte fuqi të kthehej në oqean. Nuk u mendova dy herë, thjesht e mora dhe e çova në ujë. U ndjeva e lehtësuar dhe aq e lumtur kur e pashë të notonte lirshëm, mirënjohëse që isha atje dhe munda të ndihmoja”, u shpreh ajo.

Ndërkohë me dëshpërim ajo kujton se ka kaq shumë kafshë tjera, që përfundojnë duke ngordhur si breshka në rrjete.

“Sot m’u kujtua se ne duhet të bëhemi më të vetëdijshëm dhe të ndihmojmë në mbrojtjen e të gjitha kafshëve, kjo është zgjedhja jonë. Lutem që të gjithë të ngrihemi dhe të kujtojmë se mundësia për të ndryshuar fillon me një veprim të vetëm”, shtoi më tej Bundchen.

Marrëdhënia e Bundchen me breshkat nuk është një gjë e re. Në vitin 2017 ajo iu bashkua fushatës së OKB-së ‘Wild for Life’ ku zgjodhi një breshkë deti si shpirtin e saj të afërm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore