Lajme

Gjermania u rekomandon shtetasve të vet mos të shkojnë në veri të Kosovës


Ministria e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, ka dhënë disa këshilla për shtetasit e saj që duan të udhëtojnë drejt Kosovës dhe i ka rekomanduar ata që të mos i vizitojnë katër komunat të banuara me shumicë serbe në Veri.

“Udhëtimi në veri të Kosovës, komunat e Zubin Potokut, Leposaviqit, Zveçanit dhe Mitrovicës së Veriut nuk rekomandohet. Situata në veri të Kosovës mbetet e tensionuar për shkak të tensioneve politike mes Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në njoftim të MPJ-së Gjermanisë.

“Gjatë vitit të kaluar ka pasur disa demonstrata, dëmtime materiale dhe përleshje të dhunshme në të cilat u plagosën dhjetëra ushtarë të KFOR/NATO-s si dhe disa civilë dhe policë dhe në shtator 2023, ndër të tjera, u vra një polic”.

Megjithatë, në njoftim theksohet se Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i kanë shtuar praninë e tyre në zonat në fjalë.

“Nuk mund të përjashtohet që të ndodhin incidente të tjera të lidhura me sigurinë që mund të prekin edhe të huajt. Mund të ketë edhe mbyllje të herëpashershme të pikave individuale kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Ndryshe, më 24 shtator të vitit të kaluar, ish-nënkryetari i Listës Serbe dhe krimineli Milan Radojiçiç, me një grup të serbëve të armatosur rëndë, në tentativë për ta aneksuar një pjesë të veriut, kryen një sulm terrorist duke e vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Por, Radojiçiç kishte arritur që pas sulmit terrorist të arratisej në Serbi, ndërsa Organizata Ndërkombëtare e Policisë, INTERPOL, ka lëshuar fletarrest për kryeterroristin serb.

Ndërsa, në fund të shtatorit Policia e Kosovës kishte konfiskuar vilën e tij në liqenin e Ujmanit, ndërsa në të njëjtën kohë ka kontrolluar pronën e tij në pjesën veriore të vendit, ku ishin sekuestruar edhe disa vetura dhe sende të tjera.

Bashkësia ndërkombëtare, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, e kanë dënuar në termat më të ashpër sulmin terrorist, derisa kanë kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë.

Për këtë ngjarje, Kosova ka akuzuar drejtpërdrejtë Serbinë, ku edhe ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare që të merren masa ndëshkuese ndaj saj.

Nga ana tjetër, Serbia, jo që nuk është distancuar nga ky sulm terrorist, por edhe ka shpallur ditë zie kombëtare në nderim të terroristëve të vrarë.

Ndërsa më 23 dhjetor, kryeministri Albin Kurti, theksoi se Radojiçiç po vazhdon përgatitje për sulme të reja në Kosovë në bashkëpunim me disa pjesëtarë të organizatë “Mbrojtja Civile”, e cila nga Qeveria u shpallë si grup terrorist muaj më parë.

Kurti alarmoi se një grup prej 80 personash që janë larguar nga Kosova po vazhdojnë ushtrimet në poligonin “Zimovnik”, afër Rashkës, dhe se stërvitjet po drejtohen nga ushtarakët serbë në pension.

Edhe 1 vit politikë në/për Veri

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore