Sport

Gjermania rrezikon ta humbë lojtarin e rëndësishëm për Kupën e Botës


Kupa e Botës është bërë problem për disa futbollistë të rëndësishëm, të cilët po pësojnë dëmtime me ekipet e tyre respektive.

Rasti i fundit është ai i Leroy Sane-s, i cili u lëndua në ndeshjen e fundit, që skuadra e tij, Bayern Munich, triumfoi me rezultat 5:0 ndaj Freiburg-ut.

Futbollisti me pasaportë gjermane shënoi golin e tretë për bavarezët në minutën e 76-të, por më pas u detyrua të largohet nga fusha i dëmtuar.

26-vjeçari kreu më pas testet mjekësore, derisa gjatë ditës së sotme (e hënë), klubi i Bayern-it ka dalë me një komunikatë zyrtare, ku thuhet që Sane ka pësuar një tërheqje muskulore në këmbën e majtë.

Akoma nuk dihet saktësisht koha e rikuperimit, ndërkohë që prestigjiozja gjermane, “Bild” raporton se lojtari i kombëtares së Gjermanisë do të qëndrojë të paktën tre javë jashtë fushave.

Pjesëmarrja në Botërorin “Katar 2022” me Gjermaninë, për momentin nuk është në rrezik, por në Bavari i tremben faktit që lojtari mund të kërkojë më shumë se tre javë kohë për t’u rikuperuar.

Kujtojmë që Sane e nisi në mënyrën më të mirë këtë sezon me ekipin e tij. Në 16 ndeshje në të gjitha garat, ai ka shënuar 10 gola dhe ka dhuruar gjashtë asistime.

Ndërkohë, edhe te Gjermania, ai është futbollist titullar dhe shumë i rëndësishëm.

Futbollisti i lindur në Essen numëron 47 paraqitje zyrtare me kombëtaren gjermane, prej të cilave ka shënuar 11 gola.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore