Lajme

Gjermania pret ndërprerje të energjisë elektrike në dimër


Situata e furnizimit me energji mbetet e tensionuar në Gjermani.

Sipas Zyrës Federale për Mbrojtjen Civile dhe Asistencën ndaj Fatkeqësive (BBK), në Gjermani në muajt e ardhshëm mund të ketë ndërprerje të energjisë elektrike.

Lajmi u bë i ditur nga gazeta gjermane “Spiegel”.

“Duhet të supozojmë se do të ketë ndërprerje në dimër”, tha shefi i BBK-së, Ralph Tiesler. “Me këtë dua të them një ndërprerje rajonale dhe të përkohshme të furnizimit me energji elektrike”.

Megjithatë, shkaku nuk është vetëm mungesa e energjisë, por edhe mbyllja e përkohshme e synuar e rrjeteve nga operatorët për të mbrojtur rrjetet dhe për të mos rrezikuar furnizimin e përgjithshëm.

“Rreziku i kësaj rritet nga janari dhe shkurti, kështu që supozojmë se nga atëherë do të ketë ndërprerje të energjisë për një periudhë të caktuar kohore”, paralajmëroi zyrtari gjerman.

Kryetari i BBK-së kritikoi faktin se agjencitë qeveritare nuk ishin gjithmonë të përgatitura në mënyrë adekuate për situata krize siç janë ndërprerjet e energjisë elektrike.

Disa nga bashkitë dhe autoritetet janë “me të vërtetë shembullore”, me plane të sakta dhe me garanci për furnizimin me energji elektrike përmes gjeneratorëve të emergjencës në terren.

“Të tjerët janë në një pozitë shumë më të keqe, nuk janë mjaftueshëm të përgatitur. Është shumë ndryshe”, shpjegoi kreu gjerman i BBK-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore