Lajme

Gjermania përfundon ndërtimin e terminalit të parë të importit të gazit të lëngshëm


Gjermania ka përfunduar ndërtimin e terminalit të parë të importit për gazin natyror të lëngshëm.

Çka shënon një moment historik, vendimtar në përpjekjet e saj për t’i dhënë fund varësisë energjetike nga Rusia.

Më Wilhelmshaven në Detin e Veriut, terminali do të ulë frikën se ekonomia më e madhe e Evropës mund të përballet me racionimin e gazit këtë dimër.

Gjermania është përpjekur të ndërtojë infrastrukturë të re importi për gaz që nga pushtimi i Ukrainës më 24 shkurt nga Rusia.

Situata çoi në një rënie të mprehtë të furnizimit me gaz rus në Evropë.

Në fillim të këtij viti, ajo mori me qira pesë njësi magazinimi lundrues dhe rigazifikimi, njëra prej të cilave do të instalohet në Wilhelmshaven dhe tjetra në Brunsbüttel aty pranë deri në fund të vitit.

Ndërkohë, cisternat e para do të ankorohen në të dy vendet në fillim të vitit të ardhshëm.

Robert Habeck, ministri gjerman i Ekonomisë, ka theksuar se terminalit në Wilhelmshaven iu deshën vetëm 200 ditë për t’u ndërtuar.

Ai e ka cilësuar këtë një arritje të madhe për një vend ku projektet e ndërtimit mund të zvarriten me vite.

“Gjermania mund të jetë e shpejtë dhe të avancojë projektet e infrastrukturës me vendosmëri të madhe kur qeveritë federale dhe rajonale, së bashku me pjesëmarrësit e projektit, të bashkohen”, ka thënë ai.

Gjermania. Më fillim të këtij viti, ka qenë e përhumbur nga frika e një mungese të gazit në dimër, veçanërisht pasi Rusia uli në mënyrë drastike rrjedhjet përmes gazsjellësit Nord Stream 1 nëpër Detin Baltik.

Por javët e fundit frika është zbehur.

Magazinimi i gazit në Gjermani është 100 për qind plot, pjesërisht sepse temperaturat jashtëzakonisht të buta këtë muaj bënë që familjet private të konsumonin më pak gaz.

Po ashtu edhe përdorimi industrial i gazit ra 27 për qind në tetor, ndërsa importet gjermane të gazit nga Holanda, Belgjika dhe Norvegjia janë rritur pak gjatë javëve të fundit dhe Franca filloi të dërgojë gaz në Gjermani në mes të tetorit.

Dhe këto kanë pasur ndikim të madh në çmimet e gazit në Evropë.

Megjithatë, çmimet mbeten thuajse trefishi i nivelit të mesatares dhe kanë filluar të rriten përsëri këtë javë, me parashikimin e Berlinit për të parë temperaturat të ulen nën zero.

Qeverisë gjermane i është dashur të shpenzojë dhjetëra miliarda euro për të ndaluar blerjet e gazit nga burime alternative dhe për të shtetëzuar Uniper, blerësi më i madh i vendit të gazit rus.

Uniper do të operojë infrastrukturën portuale në Wilhelmshaven dhe tashmë ka filluar punën për një lidhje midis rigazifikimit dhe instalimeve me bazë në breg.

Nga ana tjetër, Gjermania po kërkon alternativa afatgjata ndaj gazit natyror si hidrogjeni, i cili shihet si një alternativë potencialisht me karbon të ulët për industritë me intensitet energjie.

Berlini ka njoftuar në margjinat e samitit të klimës COP27 se do të sigurojë 550 milionë euro për të nisur një “sektor të hidrogjenit të gjelbër” përmes dy fondeve të reja.

Njëri do të fokusohet në sigurimin e granteve për projektet e hidrogjenit në ekonomitë në zhvillim, ndërsa tjetri do të përqendrohet në përshpejtimin e tregut global të hidrogjenit, duke përfshirë zhvillimin e infrastrukturës.

Dhe se paratë do të ndahen në mënyrë të barabartë midis dy fondeve, të cilat do të krijohen këtë vit.

Marrë nga “Financial Times”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore