Lajme

Gjermania përballet me një padi për shitjen e armëve në Izrael


Gjermania do të përballet me një thirrje të re për të anuluar të gjitha shitjet e armëve në Izrael.

Një proces gjyqësor ky, që ushtron më shumë presion mbi Berlinin mes një proteste në rritje për shkallën e vdekjeve dhe shkatërrimeve në luftën në Gaza.

Një padi në gjykatat gjermane do t’u kërkojë gjyqtarëve që urgjentisht të udhëzojnë qeverinë që të revokojë të gjitha licencat e armëve për Izraelin të lëshuara që nga 7 tetori, kur Hamasi filloi sulmin ndaj Izraelit.

Gjermania shihet gjerësisht si eksportuesi i dytë më i madh i armëve në Izrael pas SHBA-ve dhe është një ofrues më i rëndësishëm i armëve sesa Britania e Madhe.

Sakaq, padia është lëshuar nga katër grupe të të drejtave të njeriut në emër të pesë palestinezëve me emër, të cilët thonë se kanë frikë nga jeta e tyre në Gaza dhe po vuajnë një formë dënimi kolektiv nga Izraeli.

Veprimi ligjor drejtohet kundër ministrisë federale të udhëhequr nga partia e Gjelbër për çështjet ekonomike dhe veprimet klimatike, departamenti përgjegjës për licencat e eksportit sipas aktit të kontrollit të armëve të luftës.

“Është e arsyeshme të besohet se qeveria gjermane është në kundërshtim me traktatin e tregtisë së armëve, konventat e Gjenevës dhe detyrimet e saj sipas konventës së gjenocidit – marrëveshje që janë ratifikuar nga Gjermania”, thuhet në një deklaratë nga një prej palëve kryesore.

Padia, e cila ka të ngjarë të trajtohet përmes procedurave me shkrim, do të kishte ndikimin më praktik në shitjen gjermane të tre mijë armëve antitank.

Pesë palestinezët përfshijnë ata që kanë humbur të afërmit në luftë, si dhe shtëpitë dhe punët e tyre dhe konsiderohen si persona të zhvendosur brenda vendit, thuhet në padi.

“Të pesë fëmijët e mi u vranë kur Izraeli qëlloi mbi kampin e refugjatëve ku ne po qëndronim pasi u larguam nga veriu”, ka thënë një nga paditësit.

“Gjermania duhet të ndalojë dërgimin e armëve që nxisin këtë luftë. Asnjë nënë tjetër nuk duhet të pësojë një humbje kaq të tmerrshme”.

Çështja është e ndarë nga ajo e paraqitur nga Nikaragua, e cila këtë javë u deklarua para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë se Gjermania ishte në kundërshtim me konventat e Gjenevës duke vazhduar furnizimin me armë për Izraelin.

Qeveria gjermane i ka thënë gjykatës se kishte marrë garanci izraelite se kishte marrë masa paraprake dhe aktualisht nuk kishte asnjë arsye për të dyshuar në këtë.

Teksa Gjermania eksportoi pajisje mbrojtëse me vlerë 203 milionë euro në Izrael në tetor 2023, vëllimi në mars arriti në vetëm 1 milion euro, kanë thënë avokatët e qeverisë.

Njëherazi, Rrjetit Global të Veprimit Ligjor i është dhënë një datë 23 Prill për një seancë dëgjimore për kërkesën e tij për rishikim gjyqësor të deklaratës së Mbretërisë së Bashkuar se eksportet e armëve mund të vazhdojnë në bazë të këshillave ligjore që Izraeli nuk po vepron në mënyrë të paligjshme.

Pritet që ministrat e Mbretërisë së Bashkuar të përcaktojnë më tej javën e ardhshme në parlament se si këshillat ligjore tregojnë se Izraeli nuk po shkel të drejtën ndërkombëtare humanitare, një gjykim që ka qenë objekt i debateve intensive.

Qeveria ka refuzuar të publikojë këshillën ligjore apo një përmbledhje të saj, por ministrat pritet të shpjegojnë qëndrimin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore