Lajme

Gjermania “nuk do të presë” vendimet e BE-së për kufizimet e udhëtimeve


Gjermani po planifikon një ndalim të të gjithë udhëtareve nga Mbretëria e Bashkuar (MB), Brazili, Portugalia dhe Afrika e Jugut. Të gjitha këto vende kanë raste me variantin ngjitës të Covid-19.

Këto masa nga Gjermania vijnë në një kohë kur qeveritë evropiane po e diskutojnë ndalimin e udhëtarëve.

Ministrat e Brendshëm të Bashkimit Evropian (BE), u takuan për të diskutuar një qasje më të koordinuar ndaj kufizimeve të udhëtimit ndërkombëtar.

“Që të mbrojmë popullsinë, nuk duhet të ketë hyrje nga rajone ku këto variante të virusit janë të përhapura”, tha të enjten ministri i Brendshëm gjerman, Horst Seehofer.

Seehofer, tha se Gjermania synonte të ecte përpara me planet e saj edhe nëse BE-ja nuk bie dakord për masa të ngjashme në të gjithë bllokun.

“Ne nuk mund të presim një zgjidhje evropiane, kështu që po përgatisim masa kombëtare”, shtoi ai.

Masat e marra nga vendet e tjera

Javën e kaluar Belgjika ndaloi të gjitha udhëtimet jo-thelbësore nga toka, deti dhe ajri brenda e jashtë vendit.

Holanda njoftoi një ndalim të fluturimeve hyrëse nga MB-ja, Afrika e Jugut dhe Amerika e Jugut.

Portugalia do të mbyllë kufirin e saj me Spanjën për dy javë.

BE-ja tashmë ka hartuar një listë të vendeve nga të cilët udhëtarët mund të hyjnë në bllok pa një test negativ Covid.

Sidoqoftë, shtetet anëtare individuale lejohen të vendosin rregullat e tyre mbi kufijtë.

BE-ja është e vendosur për të shmangur individualitetin e shteteve në lidhje me mbylljen e kufijve. Kjo gjë ndodhi pranverën e kaluar kur shumë vende anëtare mbyllën kufijtë kombëtar në mënyrë të njëanshme, duke shkaktuar kaos ekonomik.

Unioni evropian, po punon për shtimin e një kategorie të re të “kuqe të errët” në hartën e koduar me ngjyra që prezantoi vitin e kaluar. Në këtë hartë vendet jeshile kanë rrezik të ulët, portokalli ka rrezik të mesëm dhe e kuqja rrezik të lartë. Udhëtarëve nga zonat e kuqe e errët do t’u duhet një provë para nisjes ose të bien dakord të izolohen gjatë mbërritjes.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore