Kosova

Gjermania njeh patentën për shoferët e Kosovës


Ilustrim: Patentë shoferë.

Nga e premtja e 11 shkurtit, Gjermania do të njohë patentën për shoferët e Kosovës.

Këtë e ka bërë të ditur ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, përmes një postimi “Facebook”.

“Kënaqësi e veçantë të takoja pjesën më të madhe të Ministrave të Transportit të 16 landeve gjermane në prag të votimit të njohjes së patentë shoferëve të Republikës së Kosovës”.

“Edhe me i lumtur, kur nga 69 votat e përgjithshme të Bundesratit, Republikës tonë nuk i mungon asnjë vote”, ka shkruar Ajeti.

Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti.

Ndërsa, ka thënë se kjo tregon shumë për miqësinë ndërmjet dy vendeve.

“Kjo flet shumë për miqësinë ndërmjet dy vendeve tona, si dhe për fuqizimin dhe ngritjen e cilësisë së standardizimit të patentë shoferëve të Kosovës me normat evropiane. Faleminderit Gjermani”.

Po ashtu Sveçla bëri të ditur se kanë nisur procedurat që e njëjta të bëhet edhe nga shteti i Kanadasë.

Gjatë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka prezantuar një projekt marrëveshje.

“Pas një angazhimi të gjatë, e që pres të përmbyllet suksesshëm këtë javë, për njohjen reciproke të patent shoferëve nga Gjermania, kam nderin që para jush të prezantojë nismën për lidhjen e marrëveshjes ndërkombëtare mes Kosovës e Qeverisë së Kanadasë,  për njohje reciproke të patent shoferëve”, tha Sveçla.

Edhe me 6 janar, nga Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ishte bërë e ditur se se shpejt do të hiqen provimet shtesë.

Në njoftimin e bërë ishte thënë se është bërë kërkesa në Këshillin Federal që të miratohen ndryshime në rregulloren për provime shtesë gjatë konvertimit të patentë shoferëve.

“Me qëllim të informimit korrekt dhe në kohë, dëshirojmë t`ju vëjmë në dijeni se Ministria Federale e Komunikimeve Digjitale dhe e Transportit të Republikës Federal të Gjermanisë i ka kërkuar Këshillit Federal (Bundesrat) me datë 29 dhjetor 2021 të miratojë disa ndryshime në rregulloren për provimet e patentë shoferëve”.

Ndryshe, më 29 dhjetor, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka lansur E-testimin për patentë shofer, përmes të cilit synohet eliminimi i aferave korruptive.

“Nuk ka më asnjë mundësi që përmes aferave korruptive të pajiset me patentë-shofer, pra eliminohet komplet faktori njëri”, ka thënë zëvendësministri i mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore