Lajme

Gjermania ngre padi kundër Italisë në Gjykatën e Lartë të OKB-së


Gjermania ka ngritur një padi kundër Italisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë të OKB-së.

Kjo, për faktin se Italia vazhdon të lejojë viktimat e krimeve të luftës naziste të kërkojnë kompensim nga Gjermania, në kundërshtim me një vendim të mëparshëm të gjykatës.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia Reuters.

Gjermania ankohet se Italia vazhdon të lejojë padi të tilla në gjykatat kombëtare, megjithëse në vitin 2012 Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e OKB-së vendosi se kjo shkelte të drejtën e Berlin-it për imunitet sipas ligjit ndërkombëtar.

Që atëherë, në Itali janë ngritur edhe 25 padi të tjera për të kërkuar dëmshpërblim.

Në shumë raste gjykatat italiane kanë vendosur që Gjermania t’i paguajë ato.

Në dy raste, për të zbatuar vendimin, gjykatat italiane po tentojnë sekuestrimin e pronave shtetërore gjermane në Romë.

Në Berlin, u shpjegua se padia u ngrit pikërisht tani, sepse një gjykatë italiane mund të vendosë t’i shesë këto ndërtesa deri më 25 maj.

Gjermania i kërkon gjykatës si masë të përkohshme që të urdhërojë Italinë të mos e shesë godinën deri në vendimin përfundimtar për padinë.

Mosmarrëveshja mes dy vendeve për kompensimin e dëmeve të Luftës së Dytë Botërore filloi në vitin 2008.

Gjykata e Lartë e Italisë urdhëroi asokohe Gjermaninë të paguante rreth 1 milion euro për familjet e nëntë personave të vrarë nga nazistët në Toskanë në vitin 1944.

Gjermania ka këmbëngulur se ka paguar tashmë kompensim në shkallë të gjerë sipas një numri marrëveshjesh reparacionesh me vendet e prekura.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore