Euro 2024

Gjermania likuidon Hungarinë dhe siguron kualifikimin nga grupi


Gjermania nuk ka ardhur në Euro 2024 për pjesëmarrje, por është një pretendente serioze për fitimin e titullit në fund të rrugëtimit.

Panzerat likuiduan me një rezultat të pastër 2 me 0 Hungarinë, ku dominuan gjithë lojën nga minuta e parë dhe nuk e lëshuan asnjëherë kontrollin e saj për nga kundërshtari.

Dy gola të Jamas Musiala dhe Ilkay Gundogan i dhanë fitoren e dytë në Euro 2024 ekipit gjerman, duke i dhënë edhe sigurinë praktike për kalimin e grupeve.

Teksa ata jo thjesht fitojnë, por bëhen ekipi i parë, i cili siguron edhe daljen nga grupi.

Gjërat për gjermanët janë shumë të thjeshta dhe vërehen lehtësisht në statistika.

Kontrolli i topit 63% për ta. Sulmet, janë 54 të gjermanëve kundrejt 10 të hungarezëve. Rastet janë 19 me 10. Pasimet 672 kundrejt 259.

Është një Gjermani që jo vetëm dominon, por edhe argëton, me lojë të rrjedhshme dhe gola të bukur nga aksione të zhvilluara me shumë kujdes, që të kujton deri diku edhe Spanjën e fillimviteve 2010.

Lojtari i ndeshjes këtë herë është kapiteni Gundogan, i cili jo vetëm shënoi, por edhe dha pasimin përcaktues për Musialën në golin e parë.

Rotacioni te gjermanët nuk ndihet fare në zhvillimin e lojës, përkundrazi. Pesë ndërrimet e bëra nga Nagelsman i japin frymë ekipit dhe akoma më shumë rrjedhshmëri.

Shtatë gola të shënuar në dy ndeshje është e dhëna për t’u mundur nga çdo ekip.

Për t’u parë tashmë mbetet çfarë do të bëjnë më pas, kur përballë të kenë edhe emra më të mëdhenj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore