Pajisje

Gjermania kundër përdorimit të antivirusit rus Kaspersky


Në Gjermani, autoriteti i sigurisë kibernetike ka paralajmëruar kundër përdorimit të software-it antivirus nga kompania ruse Kaspersky.

Zyra Federale për Sigurinë e Informacionit (BSI) ka nxjerrë lidhur me këtë paralajmërim një deklaratë në sfondin e konfliktit në Ukrainë.

Sipas autoritetit, bizneset ruse të teknologjisë së informacionit mund të spiunohen ose të detyrohen të kryejnë sulme kibernetike.

Kurse Kaspersky ka thënë për agjencinë “BBC” se paralajmërimi ishte “bërë mbi baza politike” dhe se nuk kishte lidhje me qeverinë ruse.

‘Operacionet sulmuese’

BSI-ja nuk ka bërë asnjë pretendim për problemet aktuale me produktet e Kaspersky-t.

Por ka thënë se konflikti në Ukrainë dhe kërcënimet ruse kundër Bashkimit Evropian, NATO-s dhe Gjermanisë kanë sjellë me vete edhe rrezikun e sulmeve kibernetike.

“Një prodhues rus i IT-së mund të kryejë vetë operacione sulmuese, të detyrohet kundër vullnetit të tij për të sulmuar sistemet e synuara, ose të spiunohet si viktimë e një operacioni kibernetik pa dijeninë e tij ose si një mjet për sulme kundër klientëve të tij”.

Ky ka qenë paralajmërimi i ardhur nga autoriteti gjerman.

Nga ana tjetër, BSI-ja ka rekomanduar që produktet antivirus të Kaspersky-t të zëvendësohen me alternativa për të shmangur dobësimin e mbrojtjes.

Në vitin 2017, presidenti amerikan Donald Trump ka nënshkruar legjislacionin që ndalon përdorimin e software-it Kaspersky brenda qeverisë amerikane

Po në të njëjtin vit, Qendra Kombëtare e Sigurisë Kibernetike e Mbretërisë së Bashkuar ka ndjekur të njëjtën rrugë.

Ajo ka njoftuar se do t’u shkruante të gjitha departamenteve qeveritare, duke paralajmëruar kundër përdorimit të produkteve të Kaspersky-t për sistemet që lidhen me sigurinë kombëtare.

‘Zgjidhja e konflikteve’

Kaspersky ka thënë se do të kërkonte sqarime nga BSI-ja për vendimin, i cili “nuk bazohej në një vlerësim teknik të produkteve Kaspersky” dhe se si të adresonte shqetësimet e tij.

Si një kompani private globale e sigurisë kibernetike, ajo “nuk ka asnjë lidhje me Rusinë apo ndonjë qeveri tjetër”.

Në vitin 2018, infrastruktura e saj e përpunimit të të dhënave është zhvendosur në Zvicër.

Dhe “siguria dhe integriteti i shërbimeve të të dhënave dhe praktikave inxhinierike janë konfirmuar nga vlerësime të pavarura të palëve të treta”.

Kompania beson se “dialogu paqësor është i vetmi instrument i mundshëm për zgjidhjen e konflikteve”.

“Lufta nuk është e mirë për askënd”, ka ravijëzuar kompania ruse.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore