Lajme

Gjermania do të dërgojë sistemin Patriot në Ukrainë, por jo raketat Taurus


Gjermania ra dakord të dërgojë një sistem të mbrojtjes ajrore Patriot në Ukrainë.

Kështu tha të shtunën e 13 prillit kancelari, Olaf Scholz.

Ama duhet theksuar se Berlini nuk ka hequr dorë nga refuzimi i tij për t’i ofruar Kievit raketa lundrimi Taurus.

Masa e Gjermanisë erdhi pas një telefonate midis Scholz dhe presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Aty Zelensky përshkroi “sulmet masive ajrore ruse në infrastrukturën civile të energjisë”.

“Ne qëndrojmë të palëkundur pranë Ukrainës”, tha udhëheqësi gjerman në një postim në X.

Zelensky, në një mesazh të veçantë në X, falënderoi Scholz-in për “vendimin për të ofruar një sistem shtesë të mbrojtjes ajrore Patriot në Ukrainë, si dhe raketa të mbrojtjes ajrore për sistemet ekzistuese”.

“Ky është një manifestim i vërtetë i mbështetjes për Ukrainën në një kohë kritike për ne”, tha Zelensky në një deklaratë në faqen e internetit të qeverisë ukrainase.

“U bëj thirrje të gjithë liderëve të tjerë të shteteve partnere të ndjekin shembullin”.

Pavarësisht ndihmës së re, Scholz ende po refuzon t’i ofrojë Kievit raketa lundrimi Taurus – një veprim që Zelensky e kritikoi ashpër në fillim të kësaj jave.

Ukraina dëshiron raketat Taurus të prodhimit gjerman, të cilat kanë një rreze veprimi prej rreth 500 kilometrash dhe mbajnë një kokë të fuqishme, për të goditur objektivat prapa vijës së frontit, si Ura e Kerçit që lidh Rusinë dhe Krimenë e pushtuar.

Scholz ka refuzuar me vendosmëri të dërgojë raketat gjermane në Ukrainë, duke argumentuar se kjo mund të çojë në një përshkallëzim të luftës ose madje ta tërheqë Gjermaninë në konflikt të drejtpërdrejtë me Rusinë.

Në mesazhin e tij në X, Zelensky tha se kishte një “telefonatë të rëndësishme dhe produktive” me Scholz, ku ata diskutuan gjithashtu dy konferenca të ardhshme mbi paqen dhe rimëkëmbjen e Ukrainës.

“Kjo është një shfaqje e vërtetë e mbështetjes për Ukrainën në një moment kritik. Unë u bëj thirrje të gjithë liderëve të tjerë të vendeve partnere të ndjekin shembullin”.

Ndërsa ndihma ushtarake perëndimore për Ukrainën ngadalësohet, komandanti i përgjithshëm i ushtrisë ukrainase u lut për mbështetje më të shpejtë nga aleatët për të kundërshtuar armët superiore të Moskës.

Oleksandr Syrskyi tha se situata në frontin lindor të Ukrainës është “përkeqësuar ndjeshëm ditët e fundit”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore