Lajme

Gjermani: Parashikohen lehtësime masash


Zyrtarët gjermanë po konsiderojnë heqjen e disa masave në javët e ardhshme, por mbyllja do të vazhdojë për tani.

“Duke marrë parasysh mutacionet e virusit, hapat për heqjen e kufizimeve duhet të vijnë me kujdes. Kjo, për të shmangur rrezikimin dhe frenimin e suksesshëm të infeksioneve”, thanë zyrtarët e lartë të Gjermanisë, sipas një dokumenti të marrë nga kompania ndërkombëtare mediatike, Deutsche Welle (DW).

Parashikohet që vendi të vazhdojë mbylljen e tij deri në mars.

Autoritetet e shohin rihapjen e qendrave të kujdesit ditor dhe shkollat si një përparësi, thuhet në dokument. Ata mbeten “optimistë se të gjithë qytetarëve do t’u ofrohet vaksinimi maksimumi deri në fund të verës”.

Numri i infeksioneve po zvogëlohet

Dokumenti vlerëson strategjinë e mbylljes së Gjermanisë. Gjithashtu tregon për një rënie të infeksioneve të reja në të gjithë vendin që nga tetori.

Zyrtarët nxisin gjermanët të vazhdojnë të zvogëlojnë kontaktet personale me të tjerët ndërsa variantet e reja COVID-19 përhapen në të gjithë vendin.

Lothar Wieler, kreu i Institutit Robert Koch, tha në fillim të këtij muaji se të paktën tre variante të reja ishin gjetur në Gjermani. Wieler shtoi se disa mutacione e kishin bërë virusin “më të rrezikshëm” pasi të dhënat nga Mbretëria e Bashkuar, Hollanda dhe Danimarka kanë zbuluar se variantet mund të përhapen më lehtë ose ulin efikasitetin e vaksinave.

Qeveritë federale dhe shtetërore do të vendosin hapat e e tjerë për rihapjen e bizneseve në javët e ardhshme. Kjo do të bazohet në numrin e infeksioneve të reja në shtete dhe rajone të ndryshme, ndër faktorë të tjerë.

Së shpejti teste në kushte shtëpie

Ndërsa Gjermania vazhdon të luftojë me virusin, zyrtarët e lartë pritet të tregojnë për testet në kushte shtëpie, si një armë tjetër kundër pandemisë.

Sapo prodhuesit e këtyre kiteve të aplikojnë për një autorizim nga qeveria gjermane, rregullatorët federalë do të kontrollojnë kompletet për saktësinë e tyre. Sipas DW-s,  është veçanërisht e rëndësishme që këto komplete të mos prodhojnë rezultate false të testit negativ.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore