Lajme

Gjermani mbron me ngulm paketën e 200 miliardë eurove: Po ramë ne në recesion, bie edhe Evropa


Zëvendëskancelari i Gjermanisë, Robert Habeck, u ka kthyer përgjigje kritikëve të paketës së mbështetjes energjetike prej 200 miliardë eurosh që Berlini zbuloi muajin e kaluar.

Ai ka mohuar se paketa ishte “egoiste” dhe ka këmbëngulur se do të ndihmojë në mbrojtjen e të gjithë ekonomisë evropiane.

“Nëse Gjermania do të përjetonte një recesion vërtet të thellë, do të tërhiqte të gjithë Evropën me të”, tha Habeck në një intervistë.

Sipas tij, Gjermania nuk është egoiste, por po përpiqet të stabilizojë një ekonomi në zemër të Evropës.

Disa vende anëtare të BE-së reaguan me habi dhe irritim ndaj paketës gjermane të ndihmës, duke thënë se ajo rrezikonte të shtrembëronte tregun e përbashkët të bllokut.

Berlini u akuzua për dështimin për të koordinuar siç duhet përgjigjen e tij ndaj krizës energjetike me partnerët e tij evropianë.

Thelbi i planit, i financuar nga huamarrja e re, është një “frenim i çmimit të gazit” në kostot e energjisë si për kompanitë ashtu edhe për familjet private.

Plani i Berlinit për të krijuar një fond emergjence prej 200 miliardë eurosh për të subvencionuar çmimet më të ulëta të gazit shkaktoi një përgjigje të furishme nga disa liderë evropianë javën e kaluar.

Kryeministri polak, Mateusz Morawiecki madje akuzoi Scholz-in për “egoizëm” dhe për “shkatërrim” të tregut të përbashkët.

Shqetësimi është se subvencionet gjermane do t’u japin prodhuesve të vendit një avantazh të padrejtë ndaj industrisë në vendet e tjera të BE-së.

“Vendi më i pasur, vendi më i fuqishëm i BE-së po përpiqet të përdorë këtë krizë për të fituar një avantazh konkurrues për bizneset e tyre në tregun e vetëm. Kjo nuk është e drejtë” tha Morawiecki në margjinat e një samiti jozyrtar të BE-së në Pragë të premten.

Edhe pse kryeministri polak nuk ka qenë një fans i qeverisë së Scholz-it edhe në momentet më të mira, ai nuk ishte i vetëm.

Si kryeministrja finlandeze, Sanna Marin, ashtu edhe udhëheqësja e Estonisë, Kaja Kallas, shprehën shqetësime të ngjashme, megjithëse në gjuhë më diplomatike, duke bërë thirrje për një plan të BE-së për të adresuar problemin.

“Ne duhet të gjejmë një zgjidhje të përbashkët, përndryshe vendet me më shumë fleksibilitet buxhetor do të kenë një avantazh ndaj të tjerëve”, tha Kallas në Pragë.

Scholz mbrojti planet e Berlinit, duke thënë se vendet e tjera në Evropë po ndiqnin hapa të ngjashëm.

Ndonëse e vërtetë, asnjë nga këto programe nuk arrin të përputhet me madhësinë e propozimit gjerman.

Megjithatë, ajo që i shqetëson liderët evropianë më shumë sesa të dhënat e fondit të gazit të Scholz-it, është tendenca në rritje e lojtarit më të madh të kontinentit për të shkuar i vetëm në çështjet kryesore ekonomike dhe të sigurisë.

Brenda disa orësh nga pushtimi i plotë i Rusisë në Ukrainë, për shembull, Scholz u përgjigj duke njoftuar një fond prej 100 miliardë eurosh Sondervermögen, një fond special që synon jo sigurinë evropiane, por atë të Gjermanisë.

Në mënyrë të ngjashme, qasja e qeverisë së tij ndaj mungesave të mundshme të gazit dhe energjisë elektrike këtë dimër është përqendruar drejtpërdrejt në Gjermani dhe jo në Evropë.

Javën e kaluar, Scholz vizitoi Spanjën, ku bëri presion për përfundimin e tubacionit të ri të gazit nga gadishulli Iberik në Evropën veriore për të kompensuar furnizimin që Gjermania ka humbur nga Rusia.

Macron e ka kundërshtuar me zë të lartë planin, i cili do të përshkonte territorin francez, duke argumentuar se nuk ka kuptim ekonomik.

Kjo pikëpamje ndahet nga Komisioni Evropian, por kancelari gjermane gjithsesi po ecën përpara, madje duke eksploruar nëse projekti mund ta anashkalojë Francën krejtësisht.

Dikush mund të argumentojë me një farë meritë që Scholz u zgjodh për të vënë vendin e tij të parin –por Scholz përmend vazhdimisht Bashkimin Evropian si pikëmbështetje të universit të tij politik.

Ditët e fundit, Scholz ka shkuar edhe më tej, duke nënvizuar “përgjegjësinë speciale” të Gjermanisë për të udhëhequr, si një fuqi e madhe në qendër të Evropës.

“Ne e marrim këtë përgjegjësi shumë seriozisht”, tha ai për El País të Spanjës në një intervistë javën e kaluar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore