Lajme

Gjermani/ Hapen shkollat, por rriten rastet me Covid-19


Shifrat e infeksionit me coronavirus,  kanë filluar të rriten sërish në Gjermani. Kjo ka nxitur një frikë të re nëse masat do të shtrëngohen.

Qendra e kontrollit për sëmundjet në vend, raportoi të dielën një mijë e 562 raste më shumë se një javë më parë.

Sidoqoftë, shkollat ​​në 10 nga 16 shtetet federale të Gjermanisë, do të rihapen të hënën.

Ekspertët kanë fajësuar variantet e reja të virusit për rritjen e numrit. Këto variante besohet se janë më infektuese.

Ministri i Shëndetësisë, Jens Spahn, u shpreh se Gjermania ishte në një “fazë të vështirë” dhe pranoi se të gjithë ishin të lodhur pas 12 muajsh betejë.

“Një fëmijë i cili është 10 vjeç tani, ka kaluar një të dhjetën e jetës së tij në pandemi”, theksoi ai.

Spahn tha se ishte shumë e rëndësishme për shoqërinë që qendrat e kujdesit ditor dhe shkollat ​​fillore të rihapeshin.

Politikanët gjithnjë e më shumë, kanë qenë të vendosur t’i japin përparësi mësuesve për vaksinimin. Kjo në mënyre që të kufizohen pasojat e rihapjes së shkollave.

Shoqata kombëtare e mësuesve ka bërë thirrje për masa të mëtejshme mbrojtëse dhe caktimin e vaksinave me përparësi për mësuesit.

Mësuesit të cilët tani po kthehen në klasat e shkollës fillore dhe të mesme “duhet të jenë në gjendje të marrin vaksinimin preferencial”, shprehet kryetari i shoqatës së mësuesve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore