Lajme

Gjenerali Petr Pavel afër fitores në zgjedhjet presidenciale në Çeki


Peter Pavel

Ish-kryeministri Andrej Babish dhe ish-gjenerali Petr Pavel janë përballur me njëri-tjetrin më 27 dhe 28 janar në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në Republikën Çeke pas përfundimit të raundit të parë të organizuar më 13 dhe 14 janar.

Raundi i dytë i zgjedhjeve për presidentin e ri të Çekisë udhëhiqet nga gjenerali në pension, ish-kreu i Komitetit Ushtarak të NATO-s, Petr Pavel, i cili vlerësohet të ketë korrur fitore me pothuajse 60 për qind të votave sipas mediave çeke dhe nga tre modele të ndryshme projeksionesh me ndihmën e inteligjencës artificiale.

Pas numërimit të votave në pothuajse 50 për qind të qendrave të votimit, Pavel kryeson me 55.25 për qind të votave të fituara, ndërsa ish-kryeministri populist, lideri i opozitës dhe miliarderi  Andrej Babish ka arritur të fitojë 44.74. për qind të votave.

Raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale në Çeki midis ish-kryeministrit dhe ish-gjeneralit është portretizuar si një garë midis oligarkisë populiste dhe demokracisë liberale dhe në të cilat zgjidhet presidenti i katërt që nga themelimi i Republikës Çeke në 1993 pas rënies së Bashkimit Sovjetik.

Projeksionet janë të bazuara në teknologjitë e reja dhe inteligjencën artificiale, të cilat rezultuan jashtëzakonisht të sakta në raundin e parë të zgjedhjeve 14 ditë më parë, pasi votat e para vijnë nga fshatrat dhe qytetet më të vogla, ku Babish ka mbështetjen më të madhe, ndërsa në Pragë dhe qytetet e mëdha mështetja shkon për Pavel me mbi 58 deri në gati 60 për qind të votave.

Këto zgjedhje karakterizohen nga një pjesëmarrje e lartë votuesish pas një fushate zgjedhore agresive dhe të ngarkuar emocionalisht që përfundoi para kohe për shkak të ngritjes së tensioneve dhe  sipas votave të numëruara dhe parashikimeve të deritanishme, pjesëmarrja arrin gati 70 për qind nga më shumë se 8 milionë votues të regjistruar.

Qendrat e votimit në të gjithë vendin janë hapur në orën 14:00 të së premtes dhe janë mbyllur po në të njëjtin orar të shtunën kurse rezultatet e zgjedhjeve, të cilat do të publikohen vazhdimisht nga Enti i Statistikave, sipas përvojës së mëparshme, shpallen brenda pak orëve pas mbylljes së vendvotimeve.

Presidenti nuk ka kompetenca ekzekutive, por ka një rol të rëndësishëm në emërimin e kryeministrit, gjyqtarëve kushtetues, kreut të bankës qendrore dhe kanë të drejtë t’i kthejnë ligjet në parlament. Ata kanë kompetenca të kufizuara në politikën e jashtme.

Sipas vlerësimeve të analistëve çekë përpara zgjedhjeve, cilido kandidat të fitojë do të jetë më pro-perëndimor se presidenti aktual Millosh Zeman që përveç se solli skandale të mëdha, promovoi marrëdhënie më të forta me Kinën dhe, deri në pushtimin e Ukrainës vitin e kaluar, edhe me Rusinë.

Babish mbështetet nga presidenti në largim kurse Pavel ka mbështetjen e qeverisë çeke të qendrës së djathtë. Agjencitë e basteve vlerësojnë se Pavel ka dhjetë herë më shumë gjasa të fitojë se miliarderi Babish, dhe ai kryeson në sondazhet e fundit të opinionit publik.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore