Shëndet

Gjëndra tiroide, sëmundja e dytë më e shpeshtë endokrinologjike në Kosovë


Periudha nga 25 deri më 31 maj shënon javën e ndërgjegjësimit të shëndetit të tiroides.

Ndonëse, nuk ka statistika të sakta se sa njerëz vuajnë nga sëmundja e gjëndrës tiroide në Kosovë, Drejtoresha e Klinikës së Endokrinologjisë Venera Berisha-Muharremi, thotë se është sëmundja e dytë më e shpeshtë endokrinologjike.

“Nga të gjitha sëmundjet endokrinologjike, për nga shpeshtësia e shfaqjes menjëherë pas diabetit apo sëmundjes së sheqerit vendin e dytë e zënë sëmundjet e gjëndrës tiroide”, thotë Berisha-Muharremi për Albanian Post.

Ajo thotë se për shkak se gjëndra tiroide luan një rol kaq të madh në metabolizëm, mosfunksionimi mund të ndikojë në pothuajse çdo pjesë të trupit, duke përfshirë nivelet e energjisë dhe aftësinë për të djegur kalori.

“Shpeshherë pacientët që e kuptojnë që kanë probleme me gjëndër tiroide vinë dhe thonë më është paraqitur gjëndra, gjëndrën e kemi të gjithë dhe nevojë për endokrinolog kanë ata të cilët shfaqen sëmundje të këtij organi që e kemi të gjithë” pohon Berisha-Muharremi.

Ajo tregon, se problemet më të shpeshta përfshijnë prodhimin jonormal të hormoneve të gjëndrës tiroide.

“Sasia e shtuar e hormoneve të gjëndrës tiroide rezulton në gjendje të njohur si hipertiroidizëm, ndërsa sasia e pamjaftueshme e hormoneve të gjëndrës tiroide qon në hipotiroidizëm”, thotw Berisha-Muharreni.

Feride Berisha, 59 vjeçare nga Prishtina vuan nga sëmundja e gjëndrës tiroide, ajo thotë se trajtimin e ka filluar  në ordinancë private shkaku i periudhës së pandemisë.

“Në QKUK, nuk jam trajtuar por në një ordinancë private. Kam qenë një herë në QKUK më kanë dalur rezultatet e larta, kur më është bërë ultrazëri më kanë thënë që nuk je e sëmurë nga gjëndra tiroide shkaku i pandemisë kam vazhduar në privat”.

“Është një sëmundje me shumë pasoja, por falë mjekëve dhe terapisë që e përdori, jam stabilizuar me shëndet”, tregon tutje Berisha.

Kurse, shton se “Sëmundjen e gjëndrës tiroide e kam vërejtur nga djersitjet e mëdha, njerëzit që më njohin pyesnin se si je, kur ju tregoja se po djersitem ato nuk kishin ndonjë profesion lidhur me fushën e shëndetësisë, por më sugjeruan që direkt të bëja analizën për gjëndrën tiroide”.

Gjëndra tiroide është një prej organeve më të rëndësishme në trupin e njeriut e cila gjendet në pjesën e përparme të qafës dhe njëherësh njihet edhe si një lloj organi përgjegjës për secilën qelizë në organizëm, thonë mjekë nga fusha e Endikronologjisë.

Në gjithë Kosovën janë 30 mjekë të fushës së endokrinologjisë, ndërkaq në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, si qendër referente për tërë Kosovën, janë vetëm 13 mjekë endokrinologë.

Kjo sëmundje manifestohet me lodhje, plogështi, djersitje, ankth, humbje të peshës e simptoma tjera.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore