Lajme

Gjendja post-COVID kërkon vëmendje dhe kujdes të veçantë


Një studim i publikuar në revistën shkencore Journal of Internal Medicine është përpjekur t’i japë përgjigje pyetjes se: Çfarë ndodh me të infektuarit me COVID-19 pasi tamponi rezulton negativ?

Studiuesit, më konkretisht, vlerësuan se çfarë ka ndodhur gjashtë muaj pas infektimit dhe daljes negativ të tamponit.

Këtë, duke marrë parasysh pranimet e reja në spital, aksesin në dhomën e urgjencës, vizitat mjekësore, ekzaminimet laboratorike dhe instrumentale të të gjitha llojeve dhe konsumimin e barnave.

Rezultatet nuk kanë qenë qetësuese. Ato përfaqësojnë një moment të parë reflektimi mbi efektet afatgjata të pandemisë në Shërbimin Shëndetësor Kombëtar.

Pacientët u ndanë në grupe.

Ata që kaluan periudhën e shërimit në shtëpi, ata që ishin të shtruar në pavijone jo intensive dhe ata që iu drejtuan kujdesit të reparteve të reanimacionit.

Popullsia e marrë në analizë përbëhej nga 48 mijë e 148 qytetarë.

43 për qind e tyre nuk kishin shkuar në spitale, 54 për qind ishin trajtuar në reparte jo intensive dhe tre për qind ishin asistuar në kujdesin intensiv.

Sakaq, 64 për qind e atyre që e menaxhuan situatën në shtëpi ishin gra. 42 për qind në grupin e dytë dhe 22 për qind në të tretin.

Gjashtë muaj pasi tamponi rezultoi negativ, 1.2 për qind e të infektuarve që ishin infektuar me COVID-19 dhe e kishin kaluar në shtëpi ndërruan jetë. Dy për qind e atyre që ishin shtruar në reparte jo intensive dhe 0.7 për qind e atyre nën kujdesin intensiv.

Po në të njëjtën periudhë, 5.3 e atyre që ishin trajtuar në shtëpi, 10.9 për qind e atyre që ishin shtruar në spital dhe 16.3 për qind e atyre që ishin shtruar në terapi intensive, iu desh të drejtoheshin në një spital të ri.

Shumica e shtrimeve të reja u shkaktuan nga shkaqe kardio-respiratore, renale dhe neurologjike. Qasja në dhomën e urgjencës ishte gjithashtu shumë më e shpeshtë te ata që ishin shtruar në spital se sa te ata që qëndronin në shtëpi.

Më pas, autorët e studimit krahasuan të njëjtin grup njerëzish në të njëjtën periudhë kohore në vitin 2019, para pandemisë, për sa i përket konsumit të burimeve shëndetësore dhe barnave.

Edhe në këtë rast rezultatet janë befasuese. Vizitat mjekësore janë dyfishuar në krahasim me periudhën para pandeminë.

Prandaj, tabloja e përgjithshme është shumë kërkuese si për sa i përket shëndetit individual, ashtu edhe për shëndetin publik, duke marrë parasysh ndikimin e madh në marrjen e tij nga qytetarët.

Nevojitet një reflektim i kujdesshëm për shërbimet që do të përmirësohen, edhe sepse ky studim konfirmohet nga analiza të tjera të fundit që shkojnë në të njëjtin drejtim.

Gjendja post-COVID kërkon vëmendje dhe kujdes të veçantë.

Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur nga “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore