Lajme

Fluturoi nën rrotat e avionit nga Afrika e Jugut drejt Amsterdam-it, burri i mbijeton udhëtimit


Policia holandeze ka bërë të ditur se e ka gjetur një person të gjallë në pjesën e rrotave të një avioni, që u ul në aeroportin Schiphol të Amsterdamit nga Afrika e Jugut.

Fluturimet nga Johanesburg në Amsterdam zgjasin rreth 11 orë dhe aeroplani i ngarkesave besohet se ka bërë një ndalesë, në Nairobi të Kenias.

Është shumë e pazakontë që turistët në fluturime të gjata të mbijetojnë, për shkak të të ftohtit dhe oksigjenit të ulët në lartësi të mëdha.

“Mosha dhe kombësia e burrit nuk janë përcaktuar ende”, thotë policia.

“Burri u gjet i gjallë në pjesën e rrotës së hundës së avionit dhe u dërgua në spital në një gjendje të qëndrueshme”, tha zëdhënësja e Policisë Ushtarake Mbretërore Hollandeze, Joanna Helmonds për agjencinë e lajmeve AFP.

“Është mjaft e habitshme që burri është ende gjallë”, tha ajo.

Një zëdhënës i transportuesit të mallrave Cargolux konfirmoi për Reuters se personi kishte qenë në një fluturim të operuar nga kompania, Cargolux.

Sipas të dhënave të fluturimit, i njëjti fluturim i mallrave i kompanisë Cargolux nga Johannesburg në Schiphol, gjithashtu bëri një ndalesë në Nairobi.

Nuk dihet nëse burri hipi në aeroplan në Afrikën e Jugut apo në Kenia.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore