Lajme

Gjenden thasë me rërë në Zveçan, dyshohet se përdoreshin për barrikada


Thasët e gjetur në Zveçan.

Policia e Kosovës, së bashku me EULEX-in kanë kryer bastisje në një qendër të Zveçanit, në të cilin janë gjetur dhjetëra thasë me rërë që dyshohej se përdoreshin për barrikada.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Veriut, Veton Elshani.

“Sot, gjatë kontrolleve që ka bërë policia, ka konstatuar se në katin e tretë të kësaj ndërtese janë dhjetëra thasë të mbushur me rërë që kanë qenë si istikame për të sulmuar policinë dhe në mbrojtje të barrikadës dhe kontrollimit të rrugës kryesore që të dërgon në Zveçan”, ka thënë Elshani për Albanian Post.

Në dhjetor të 2022-ës, disa serbë lokal kishin ngritur barrikada të cilat i kishin vendosur në shenjë pakënaqësie pasi Policia e Kosovës e kishte arrestuar ish-policin Dejan Pantiç, i cili dyshohej për sulmin e 6 dhjetorit në zyrën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Megjithatë, lirimi i Pantiç-it dhe dërgimi i tij në arrest shtëpiak si masë e zbutur nga ajo e paraburgimit, ishte edhe ngjarja, e cila i parapriu vendimit të Aleksandër Vuçiçit-it për të larguar barrikadat.

Në tërësi, raportohej se ishin 16 barrikada, ku për mbi 20 ditë ato bllokuan rrugët që çojnë drejt pikave kufitare mes Kosovës dhe Serbisë – Jarinjë dhe Bërnjak.

Forca patrulluese në Veri për 20 ditë kishte qenë KFOR-i, derisa Policia e Kosovës nuk ka pasur mundësi të lëvizë vetë në vende të ndryshme pa asistencën e KFOR-it.

Për pasojë edhe një grup policësh mbetën të bllokuar në pikat kufitare në Veri për 14 ditë, derisa KFOR-i dhe EULEX-i ndihmuan zëvendësimin e tyre.

Gjatë raportimit nga vendi i ngjarjes brenda 17 ditëve, 13 punëtorë të medias ishin sulmuar në Veri, në mesin e tyre gazetarë/e, fotoreporterë, kameramanë e shoferë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore