Gjenden mjete shpërthyese në Podujevë, largohen nga FSK-ja dhe KFOR-i

SHFLETO

Ilustrim.

 

Sahide Brati
26.06.2024 11:41
Loading Icons...
Të martën janë gjetur disa mjete të dyshuara shpërthyese në Komunën e Podujevës.

Lajmi është bërë i ditur përmes raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës.

“Pas pranimit të informatës për gjetjen e mjeteve të dyshuara shpërthyese, në vendin e ngjarjes kanë dalur njësitë policore, kanë bërë sigurimin e vendit të ngjarjes”, thuhet në raport.

Sipas këtij raporti, njësitet për deminim të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe KFOR-it i kanë tërhequr mjetet e dyshuara.

Ndërsa, thuhet se në Komunën e Istogut, janë gjetur rreth 7 gramë substancë narkotike e llojit marihuanë.

“Më 25.06.2024 është raportuar se nga ana e zyrtarëve korrektues janë gjetur rreth 7 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori”, thuhet në raport.

Tutje, treguan se rasti është nën hetime.

Përpos kësaj, edhe në Prishtinë është gjetur dhe konfiskuar substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë dhe kokainë, të martën.

“Janë shoqëruar në stacion policor tre të dyshuar meshkuj kosovar, pasi që gjatë kontrollit tek të njëjtit është gjetur dhe konfiskuar substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë dhe kokainë”, thuhet në raport.

Pas intervistimit me vendim të prokurorit, të dyshuarit, potencohet se janë liruar në procedurë të rregullt.

Përpos lëndëve narkotike, në Prishtinë, është arrestuar një person pasi PK-ja gjeti dhe sekuestroi një armë.

“Është arrestuar i dyshuari kosovar për shkak se gjatë kontrollit tek i njëjti është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë me katër fishekë”, tregohet në raportin 24 orësh.

Sipas PK-së, në konsultim me prokurorin, rasti shkon në procedurë të rregullt.

Më tej, në Prishtinë, të martën është raportuar se disa kompani vendore dhe persona dyshohet kanë deponuar para të falsifikuara në periudhën kohore nga viti 2023 e deri tani.

“Mashkull kosovar, zyrtar i një banke, ka raportuar se disa kompani vendore dhe persona kanë deponuar para të falsifikuara që nga viti 2023 e deri më tani. Parat e falsifikuara rreth 628 euro janë konfiskuar”, potencohet tutje.

Rasti është duke u hetuar.