Lajme

Gjenden mbetjet mortore në Tusuz, dyshohet se janë të personave të zhdukur gjatë luftës


Foto nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur.

Gërmimet e filluar në mëngjes nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur në Tusuz të Prizrenit, kanë rezultuar me gjetje dhe zhvarrosjen e mbetjeve mortore që mund të iu përkasin viktimave të luftës që vazhdojnë të jenë në Listën e Personave të Zhdukur.

Lajmin e ka bërë të ditur Komisioni përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.

“Gërmimet e filluara sot në Tusuz, kanë rezultuar me gjetje të mbetjeve mortore potencialisht të viktimave të luftës”.

“Në kuadër të zbatimit të Planit të Punës nën koordinimin e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, njësitet e Drejtorisë së Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, ekspertët mjekoligjorë të Institutit të Mjekësisë Ligjore me mbështetjen edhe të ekspertëve të EULEX-it, janë duke kryer gërmimet vlerësuese në tri lokacione në hapësirat e ‘Varrezave të qytetit të Prizrenit”, ka shkruar Komisionin.


Ndërsa, është thënë se pasi të përfundojnë të gjitha procedurat do përcaktohet numri i individëve të zhvarrosur dhe identiteti i tyre.

“Mbetjet mortore të zhvarrosura do të dërgohen në Institutin e Mjekësisë Ligjore për ekzaminimet e nevojshme dhe identifikimin përmes analizës shkencore të ADN-së”.

Gërmimet në Tusuz të Prizrenit, janë duke u kryer në zbatim të urdhëresës së Gjykatës Themelore të Prishtinës,  Departamentit Special.

Lokacioni në Tusuz të Prizrenit është lokacioni i 13-të i adresuar në kuptim të gërmimit vlerësues gjatë këtij viti brenda territorit të Republikës së Kosovës.

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, ka bërë të ditur se kanë rinisur gërmimet në lokacionin e quajtur Shtavalj, Sienicë në territorin e Serbisë, gërmime këto që kishin nisur edhe në maj të vitit 2021.

Më 9 nëntor, Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka njoftuar se gjatë gërmimeve që kanë bërë në fshatin Prekaz të Skenderajt, kanë hasur në mbetje mortore/eshtra, të cilat dyshohet se mund të jenë të personave të zhdukur gjatë luftës.

Çështja e personave të zhdukur është ngritur edhe në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në vitin 2020, por që nuk ka pasur ndonjë progres konkret.

Gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998-1999 rreth 13 mijë njerëz nga të gjitha bashkësitë etnike u vranë, mbi 800 mijë u zhvendosën dhe rreth 1 mijë e 600 janë të zhdukur.

Qindra trupa të shqiptarëve të vrarë të Kosovës janë gjetur në varreza masive në Serbi.

Deri më tani nga Serbia në Kosovë janë kthyer rreth 1 mijë mbetje mortore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore