Lajme

Gjenden mbetje mortore sërish në Prekaz, dyshohet të jenë të periudhës së luftës


Foto: Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur.

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, ka njoftuar se është duke vazhduar gërmimet në Prekaz të Skenderajt edhe të hënën e 20 nëntorit, ku janë gjetur mbetje mortore.

Lajmin e ka bërë të ditur përmes një komunikate për media komisioni.

“Vazhdojnë gërmimet në Prekaz të Skenderaj edhe sot. Ekipet edhe sot kanë hasur në eshtra (mbete mortore) që potencialisht i përkasin viktimave të listës së personave të zhdukur”, është thënë nga Komisioni.

Edhe më 9 nëntor, Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka thënë se gjatë gërmimeve që kanë bërë në fshatin Prekaz të Skenderajt, kanë hasur në mbetje mortore/eshtra, të cilat dyshohet se mund të jenë të personave të zhdukur gjatë luftës.

Çështja e personave të zhdukur është ngritur edhe në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në vitin 2020, por që nuk ka pasur ndonjë progres konkret.

Gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998-1999 rreth 13 mijë njerëz nga të gjitha bashkësitë etnike u vranë, mbi 800 mijë u zhvendosën dhe rreth 1 mijë e 600 janë të zhdukur.

Qindra trupa të shqiptarëve të vrarë të Kosovës janë gjetur në varreza masive në Serbi.

Deri më tani nga Serbia në Kosovë janë kthyer rreth 1 mijë mbetje mortore.

Zhduket Marrëveshja për të Pagjeturit e luftës – komisionet s’u takuan asnjëherë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore