Shqipëria

Gjëmën ia bëri ish-partnerja, zyrtarit të lartë të FBI-së


Detaje të reja kanë dalë në dritë për aktakuzën ndaj ish-zyrtarit të lartë të FBI-së, Charles McGonigal, i cili është i akuzuar në SHBA për lidhjen që ka me oligarkun rus, Oleg Deripaska dhe për deklarime të rreme dhe falsifikime dokumentesh.

Materialet, të cilat janë përdorur kundër tij në hetime, janë dërguar pikërisht nga një ish-partnere e agjentit, me të cilën ai i kishte dhënë fund lidhjes, pasi nuk donte ta linte gruan për partneren e re.

Në deklarimin e saj, ka bërë me dije, përtej faktit se kishte gjetur 80 mijë dollarë në apartamentin e tij, edhe se kishin kryer raporte seksuale në një automjet qeveritar.

Allison Guerriero quhet ajo dhe është “arkitektja” e gjithë aktakuzës McGonigal.

Sipas saj, lidhja kishte zgjatur më shumë se një vit mes tyre dhe acarimi i vërtetë, erdhi kur ish-zyrtari nuk kishte shprehur dëshirën ta linte gruan e tij për të dashurën.

Çështja e gjitha bëhet me interesante për Shqipërinë, për faktin se McGonigal, është përfolur edhe si mik i kryeministrit Edi Rama, por, pa përfshirjen e këtij të fundit në asnjë veprim hetimor.

Në Shqipëri, ish-zyrtari amerikan, figuron si administrator i një kompanie (LAWOFFICE & INVESTIGATION), e cila është themeluar në vitin 2007, kohë kjo kur si kryeministër i vendit, shërbente kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha.

Kjo kompani, me status momental rezulton si e pezulluar në vitin 2019.

Ajo ka si aksionerë shtetasin Shefqet Dizdari, me 25% të aksioneve, vetë McGonigal-in, shtetasin amerikan Mark Thomas Rossini, i cili po ashtu ka qenë një ish-agjent i FBI-së dhe Agron Nezajn.

Ky i fundit është akuzuar ndërkohë si ndërmjet i Ramës me ish-zyrtarin e lartë amerikan.

Mirëpo, një akuzë të tillë, është mohuar nga vetë Rama, i cili reagoi mbi çështjen dhe tha se përveçse me McGonigal-in kishte thjesht lidhje me miqësore, edhe me Nezajn, nuk ka folur asnjëherë për çështje biznesi, por ka pasur takime miqësore dhe krejtësisht pa interes.

Madje, ai e ka përforcuar këtë, duke thënë se Neza vjen nga Lëvizja Demokratike dhe ka qenë person shumë i afërt me Azem Hajdarin, duke lënë të kuptohet se nuk ka lidhje për çështje biznesi me të.

Vetë Neza, përmendet në dosjen e McGonigal si “Personi A” dhe përshkruhet si ish-funksionar i Shërbimeve Inteligjente shqiptare.

Thënë kjo, vetë Rama nuk e ka mohuar njohjen me amerikanin dhe takimet me të, të cilat kanë qenë krejtësisht miqësore dhe nuk ka pasur detyrim për t’i deklaruar.

Por, vetë McGonigal, i cili e ka pasur një detyrim për t’i deklaruar ato, nuk e ka bërë kurrë këtë gjë. Një skenar të tillë, e ka zbatuar edhe me politikanë të tjerë në Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë, apo deri edhe në Austri.

Teksa, për hapjen e biznesit në kohën kur Berisha ka qenë kryeministër, nuk ka asnjë të dhënë paraprake se si ata të dy mundet apo jo të jenë të lidhur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore