Sport

Gjashtë vjet nga anëtarësimi i Kosovës në UEFA


Sot (e marte) bëhen gjashtë vjet që kur Federata e Futbollit e Kosovës u anëtarësua në UEFA.

3 maj i vitit 2016 hyri në historinë së sportit kosovar, kur përfundimisht Kosova theu izolimin prej dy dekadash e gjysmë, duke u bërë pjesë e familjes evropiane të futbollit.

28 vota të delegatëve në Kongresin e UEFA-s në Budapest ishin pro anëtarësimit të FFK-së, 24 kundër dhe 2 abstenime dhe kësisoj Kosova u bë anëtarja e 55-të e kësaj organizate.

Faktor shumë i rëndësishëm për këtë sukses, ishte presidenti i atëhershëm i FFK-së, Fadil Vokrri, i cili ishte më meritori për pavarësimin e futbollit kosovar.

“Një drejtësi e vonuar, por, duke marrë parasysh bllokadat ligjore që i janë paraqitur Kosovës ne arritëm të pranohemi, kjo është një arritur e jashtëzakonshme”, pati thënë i ndjeri Vokrri.

“Momentet brenda kuvendit të UEFA-as, ishin të vështira për shkak të kahjes që i dhanë kuvendit disa shtete, megjithatë ne arritën të anëtarësohemi në UEFA dhe tash është radha të anëtarësohemi në kongresin e FIFA-as”.

“Edhe në këtë kuvend, pranimi i Kosovës ose jo është në rend dite. Pra kjo është një fitore e të gjithëve”, ka thënë kryetari i atëhershëm i FFK-së, Fadil Vokrri.

Anëtarësimi në UEFA iu mundësoi ekipeve kosovare që të marrin pjesë në garat evropiane të futbollit.

Po ashtu, kjo i hapi rrugë Kosovës që të anëtarësohet edhe në Federatën Botërore të Futbollit – FIFA, në Meksiko Siti, në kongresin e mbajtur më 12 dhe 13 maj 2016.

Pas kësaj date, vendi më i ri i anëtarësuar në futbollin evropian dhe atë botëror, u paraqit me shumë suksese në arenën ndërkombëtare.

Për t’u lavdëruar dhe për t’u mbajtur mend, ishin paraqitjet e para të edicionit të parë në Ligën e Kombeve, ku Kosova doli e para në grupin e saj.

E tani gjashtë vite pas asaj dite të rëndësishme Federata e Futbollit e Kosovës vazhdon të bëjë hapa të mëdhenj përpara.

Në këtë ditë të rëndësishme, presidenti Agim Ademi nëpërmjet një mesazhi e ka vlerësuar kontributin e të gjithë atyre që dhanë djersë dhe mjete për ta mbajtur gjallë rrugëtimin e futbollit kosovar deri në finalizimin e ndërkombëtarizimit.

“Federata e Futbollit e Kosovës në Kongresin e mbajtur në Budapest arriti ta thyejë izolimin e padrejtë 25-vjeçar, duke u bërë anëtare me të drejta të plota e UEFA-s. Kësisoj, u përmbush ëndrra e kahmotshme dhe u shpërblye sakrifica e shumë gjeneratave të futbollistëve të Kosovës”, thotë i pari i FFK-së Agim Ademi.

“Në këtë ditë të veçantë, dua t’u shpreh mirënjohje dhe falënderim të gjithë atyre që kontribuuan në pavarësimin dhe rrugëtimin e futbollit kosovar që nga viti 1991, e që numri i tyre është jashtëzakonisht i madh”.

“Mirënjohje e veçantë ish-prijësve të FFK-së, Agim Bytyqi, Rexhep Abdullahu, Sabri Hashani, Fadil Vokrri si dhe të gjithë bashkëpunëtorëve të tyre për punën e vazhdueshme deri në jetësimin e objektivit të shumë gjeneratave”, shkruan Agim Ademi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore