Lajme

Gjashtë vende afrikano-jugore vendosen në listën e kuqe të udhëtimeve në MB


Mbretëria e Bashkuar do të vendosë sërish gjashtë vende të Afrikës së Jugut në listën e kuqe të kufizimeve të udhëtimit.

Lëvizja vjen pas një rritje të rasteve të një varianti të ri të coronavirus-it me mutacion të madh që ka shkaktuar alarm te zyrtarët globalë të shëndetësisë.

Agjencia e lajmeve, “Financial Times”, tregon se udhëtarët që kthehen nga Afrika e Jugut, Botsvana, Namibia, Zimbabve, Lesoto dhe Eswatini, do të detyrohen të karantinohen për 10 ditë në një strukturë qeveritare nga mesdita e së premtes.

Kështu sipas zyrtarëve qeveritarë.

Nga kjo periudhë, fluturimet direkte nga gjashtë vendet do të ndalohen derisa karantina e hoteleve të fillojë dhe të funksionojë nga ora katër e mëngjesit të së dielës.

Ky ndryshim pason shqetësimin në rritje të shkencëtarëve mbi aftësinë e variantit B.1.1.529 Sars-Cov-2 për të injoruar vaksinat dhe për të transmetuar më shpejt se varianti Delta.

I identifikuar për herë të parë në Botsvana, varianti i ri besohet të jetë pas një rishfaqjeje të rasteve me COVID në Afrikën e Jugut gjatë javës së kaluar.

Sajid Javid, sekretari i shëndetësisë dhe kujdesit social në Mbretërinë e Bashkuar, ka thënë se Agjencia e Sigurisë Shëndetësore po “hetonte një variant të ri. Nevojiten më shumë të dhëna, por po marrim masa paraprake që tani”.

Sipas tij, “gjashtë vende afrikane do të shtohen në listën e kuqe, fluturimet do të ndalohen përkohësisht dhe udhëtarët në Mbretërinë e Bashkuar duhet të karantinohen”.

Ndërkaq, Organizata Botërore e Shëndetësisë po mban një takim urgjent për të diskutuar variantin e ri, ku pritet ta përcaktojë llojin një “variant me interes”.

Më herët, shkruan “Financial Times”, ishte Izraeli që ndaloi të enjten udhëtarët që vinin nga Afrika e Jugut dhe vendet fqinje.

Hong Kong-u ka njoftuar ndërkohë se kishte regjistruar dy raste të variantit. Ata ishin një udhëtar që mbërriti nga Afrika e Jugut këtë muaj dhe një tjetër nga Kanadaja që kishte qëndruar në një dhomë hoteli në karantinë në të njëjtin kat.

Marrë shkas nga kjo, autoritetet urdhëruan 12 të ftuar të tjerë që qëndruan në të njëjtin kat në hotel që t’i nënshtroheshin dy javëve shtesë në karantinë të detyrueshme në një strukturë qeveritare.

Hirokazu Matsuno, sekretari kryesor i kabinetit të Japonisë, ka treguar se qeveria po mblidhte informacion dhe do të përgjigjej me shpejtësi, megjithëse varianti nuk ishte konfirmuar ende në vend.

“Nëse situata përkeqësohet dhe infeksionet zgjerohen, atëherë qeveria do të përgjigjet me shpejtësi”, ka thënë Matsuno.

Mirëpo, ministria e jashtme e Afrikës së Jugut e ka akuzuar Mbretërinë e Bashkuar se po nxitonte të ndalonte udhëtimin nga vendi përpara se varianti i ri të vlerësohej siç duhet.

“Vendimi i Mbretërisë së Bashkuar për të ndaluar përkohësisht afrikano-jugorët të hyjnë në vend duket se ka qenë i nxituar pasi edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë ende nuk ka dhënë këshilla për hapat e ardhshëm”, ka theksuar ministria.

“Shqetësimi ynë i menjëhershëm është dëmi që ky vendim do të shkaktojë si për industritë e turizmit ashtu edhe për bizneset e të dy vendeve”, ka shtuar Naledi Pandor, ministri i jashtëm i Afrikës së Jugut.

Lidhur me këtë variant të ri, ai është përshkruar si varianti më shqetësues i coronavirus-it që kanë hasur studiuesit deri më tani.

Referuar “Financial Times”, të dhënat e pakonfirmuara tregojnë se ai po përhapet më shpejt sesa mendohej në Afrikën e Jugut, ku javët e fundit shkalla e testeve që kanë dhënë një rezultat pozitiv është rritur.

Afrika e Jugut dhe vendet e tjera në rajon dolën nga lista e kuqe e mëparshme e Mbretërisë së Bashkuar në tetor. Kufizimet e udhëtimit u vendosën për herë të parë në rajon në fillim të vitit mbi variantin Beta, i cili u zëvendësua nga Delta.

Kurse lista e re e kuqe ka të ngjarë të shkatërrojë shpresat e Afrikës së Jugut për të shpëtuar sezonin e turizmit veror të këtij viti, i cili është jetik për ekonominë.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore