Lajme

Gjashtë sulme ndaj gazetarëve në Veri nga protestuesit serbë: Të mundësohet raportim i sigurt nga ndërkombëtarët dhe Policia


Foto: Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.

Sa herë që situata tensionohet në Veri për gazetarët krijohet një ambient i pasigurt për raportim nga vendi i ngjarjes.

Madje, këto situata asnjëherë nuk përfundojnë pa pasur ndonjë sulm ndaj gazetarëve.

Aktualisht, katër raste të ngjashme kanë ndodhur të hënën e 29 majit.

Dy nga rastet kanë qenë dëmtim i veturave të mediave RTV Dukagjini dhe Kallxo në Leposaviq, nga Asociacioni i Gazetarë të Kosovës (AGK), është kërkuar që të mundësohet raportim i sigurt për gazetarët nga ndërkombëtarët dhe Policia e Kosovës.

Në veturën e gazetarëve është paraqitur shkronja cirilike “S (C)”, që do të thotë “vetëm uniteti i shpëton serbët”.

Këtë kërkesë AGK-ja e ka bërë sërish përmes një komunikate për media.

“Në videot e publikuar në medie, shihen veturat e RTV Dukagjinit dhe KALLXOs, me simbolin e motos jozyrtare të serbëve “Samo sloga Srbina spasava” (Vetëm uniteti i shpëton serbët), gomat e shpërthyera, si dhe mbulimin e “Republika  e Kosovës” në targa”.

“AGK-ja, e dënon këtë akt të protestuesve, njëherësh u bën thirrje Policisë së Kosovës dhe prezencës ndërkombëtare në Kosovë, që të mundësojnë raportim të sigurt dhe të papenguar të ekipeve mediale”.

Përveç veturave të mediave të Kosovës, serbët kanë dëmtuar edhe veturat e gazetarëve nga Shqipëria të TopChannel dhe të Euroneës Albanian.

Përmes një komunikatë për media nga AGK-ja është thënë se me këtë veturë po udhëtonin katër gazetarë të mediave të ndryshme.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës po i përcjell me shqetësim zhvillimet në këto komuna, dhe u bën thirrje kolegëve gazetarë, kameramanë dhe fotoreporterë që të kenë kujdes të shtuar gjatë raportimit, dhe t’i respektojnë udhëzimet e zyrtarëve të Kosovo Police për perimetrin e raportimit”, është thënë në komunikatën e AGK-së.

AGK-ja, sërish u ka bërë thirrje prezencës ndërkombëtare në Kosovë, NATO Kosovo Force – KFOR dhe EULEX Kosovo (Official) që të mundësojnë raportim të sigurt dhe pa u penguar të mediave.

Ndërsa një tentim sulmi ka qenë edhe ndaj ekipit të Periskopit në Zveçan.

Edhe këtë rast AG-ja e ka bërë të ditur përmes një komunikate për media.

“Dy persona të maskuar kanë tentuar të sulmojnë ekipin e Periskopit sot në Zveçan. Në një fotografi dërguar AGK-së, shihet se bluza e një kolegu është shqyer si shkak i tentimit të sulmit, nga i cili fatmirësisht nuk ka të lënduar”.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është tejet i shqetësuar me situatën e krijuar për mediat dhe gazetarët, të cilët po raportojnë nga këto komuna, andaj kërkon nga kolegët që të kenë kujdes të shtuar gjatë raportimit”.

“Njëherësh, AGK-ja, rekomandon që kolegët t’i dëgjojnë rekomandimet e zyrtarëve të Policisë së Kosovës që janë prezent atje”, thuhet në komunikatën e AGK-së.

Po ashtu edhe tre persona kanë tentuar të pengojnë ekipin e Papirusit për të xhiruar në Zveçan.

Ky është sulmi i pestë ndaj gazetarëve deri tani.

“Redaksia e Gazeta Papirus, e ka njoftuar Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës, se tre persona të maskuar ia kanë rrëzuar kamerën ekipit të mediumit të tyre, përderisa ishin duke filmuar automjetet e KFOR-it”.

“Në videon dërguar AGK-së, dëgjohet njëri prej personave të maskuar duke i thënë ekipit që mos të xhirojnë”.

I gjashti rast i sulmit ndaj gazetarëve është bërë i ditur nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ku është djegur vetura e ekipit të Tëve1 në Zubin Potok.

“Vetura e mediumit Tëvë1 fillimisht është sulmuar e më pastaj është djegur sot në Komunën Zubin Potokut”.

“Në fotografitë dërguar AGK-së, shihet se i janë thyer xhamat dhe shpërthyer gomat e veturës, e më pastaj edhe e vënë në flakë”, thuhet në komunikatën e AGK-së.

Për AGK-në, kjo sjellje është thënë se është e patolerueshme, dhe u bëjmë thirrje NATO dhe EULEX të reagojnë sa më parë në mënyrë që kolegët të raportojnë pa u rrezikuar, penguar e dëmtuar pajisjet e tyre të punës.

Nga gazetarët AGK-ja ka kërkuar që të kenë kujdes të shtuar gjatë raportimit nga komunat në të cilat janë vendosur protestuesit.

Për këto raste ka reaguar shefi i zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, përmes një cicërime në rrjetin social ‘Twitter’.

“BE dënon dëmtimin e sotëm të makinave që i përkasin KallxoLive dhe RTV Dukagjini. Edhe pse situata e sigurisë në veri është e tensionuar dhe e vështirë, gazetarët duhet të lejohen të kryejnë punën e tyre pa frikë për sigurinë e tyre”, është thënë në reagimin Szunyog.

Akoma pa u bërë gjysma e vitit 2023 janë shënuar 16 raste të sulmeve ndaj gazetarëve.

Sulme të ngjashme ndaj gazetarëve kishin ndodhur edhe në dhjetor ku ishin vendosur barrikada për 17 ditë në Veri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore