Sport

Gjashtë futbollistë largohen nga Prishtina


Gjashtë futbollistë janë larguar nga klubi i futbollit të Prishtinës.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë klubi nga kryeqyteti i Kosovës, të cilët njoftuan se kanë ndarë rrugët me këta futbollistë.

Bëhet fjalë për sulmuesit, Gauthier Mankenda-n dhe Sadam Sulley, portierin Betim Halimin, mesfushorin Agim Zekën, mbrojtësit Aleksandar Ristevski-n dhe Josip Tomasevic-in.

Sulmuesi Mankenda ishte futbollist i bardhekaltërve që nga vitit 2016. Futbollisti Kongo numëron gjithsej 166 paraqitje me Prishtinën në të gjitha garat, prej të cilave ka kontribuar me 32 gola dhe 27 asistime.

Ai ishte ndër futbollistët më të suksesshëm në kohën e fundit me klubin e Prishtinës, por ata tanimë kanë ndarë rrugët.

Sulley iu bashkua klubit të Prishtinës në janar të këtij viti nga skuadra sllovake, FK Senica. Gjatë kësaj kohe ai ka veshur 16 herë fanellën bardhekaltër, ku ka kontribuar me shtatë gola.

Portieri, Halimi ishte pjesë me skuadrën prishtinase gjatë tërë sezonit të kaluar, derisa mbrojti portën e tyre në 15 ndeshje.

Mesfushori, Zeka iu bashkua Prishtinës në janar të këtij viti, i cili numëron 13 paraqitje, ku ka shënuar një gol.

Edhe mbrojtësit Ristevski dhe Tomasevic iu bashkuan Prishtinës në gjysmën e këtij sezoni. Megjithatë në njoftimin e bardhekaltërve thuhet se ata nuk arritën t’i tregojnë vlerat e tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore