Sport

Giresse: Miqësoret do të na shërbejnë të zbulojmë futbollistë të rinj


Kombëtarja e Kosovës do t’i zhvillojë dy ndeshje miqësore në këtë javë.

Fillimisht Dardanët do të përballen me Armeninë të mërkurën në stadiumin “Fadil Vokrri” të Prithsinës, derisa më 19 nëntor do të luajnë kundër Ishujve Faroe po në të njëjtin stadium.

Në prag të sfidës që do të zhvillohet ndaj Armenisë, trajneri i dardanëve Alain Giresse deklaroi së në këto dy takime ka si qëllim që të zbulojë talentet për skuadrën e së ardhmes.

“Për këto miqësore janë bërë afrime për t’u dhënë mundësi lojtarëve të rinj. Kjo do të jetë një mundësi për ata që t’i shohim si prezantohen në arenën ndërkombëtare. Kjo është arsyeja pse kemi grumbulluar lojtarë të rinj”, tha Giresse.

“Do të luajnë të gjithë, do të mundohemi t’i fusim të gjithë në lojë që të tregojnë vlerat e tyre dhe për të parë formën e tyre fillimisht në stërvitje”, shtoi trajneri francez.

“Ajo çfarë ka më shumë rëndësi është që lojtarët t’i tregojnë vlerat e tyre në fushën e lojës. Sa i përket lojtarëve të rinj janë kryesisht të rinj, por ka edhe të tjerë me përvojë”.

“Ka pasur ndryshime nga lista e parë dhe kjo finale, pasi ka pasur lojtarë që nuk kanë mundur të vijnë, por mendoj që afrimi i lojtarëve të rinj u jep atyre mundësinë të tregojnë veten”, tha trajneri i Kosovës.

Më tej Giresse theksoi se stili i lojës do të ndikohet më shumë nga lojtarët që ka në dispozicion, pra nga pozicioni që ata luajnë në klubet e tyre në mënyrë që të jenë në gjendje të japin maksimumin e tyre.

“Sa i përket stilit të lojës, mendoj se kjo varet nga lojtarët dhe cilësitë që kanë. Ndërsa sa i përket lojtarëve që janë për herë të parë, do të kenë një parapërgatitje që të jenë në gjendjen më të mirë, që të kenë një paraqitje sa më të mirë ata do i vendosim në pozicionet e tyre natyrale dhe ku luajnë në ekipet e tyre respektive”, shtoi trajneri i dardanëve.

Në fund, trajneri i Giresse tha se nuk janë anashkaluar futbollistët e Superligës së Kosovës.

“Nuk e kemi lënë anash kampionatin e Kosovës, ka lojtar që janë ftuar nga kampionati vendas”, tha trajneri francez në konferencën për media para ndeshjes me Armeninë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore