Lajme

Giaufret: BE-ja nuk është bankomat, por mundësia më e madhe për Serbinë


Emanuele Giaufret

Shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian (BE) në Serbi, Emanuele Giaufret, në një intervistë për gazetën serbe “Nedeljnik”, ka thënë se Serbia nuk duhet ta trajtojë BE-në si një bankomat (ATM), nga i cili mund të tërhiqen para gjatë gjithë kohës, por si mundësinë më të madhe për popullin serb.

“Natyrisht që BE-ja nuk është një bankomat i madh nga i cili mund të tërhiqen para gjatë gjithë kohës. Ekziston një qëllim i qartë – anëtarësimi në BE – dhe kjo është mundësia më e madhe nga të gjitha. Një mundësi për Serbinë dhe për BE-në”, theksoi Giaufret.

Kur ka folur për (mos) harmonizimin e politikës së jashtme të Serbisë me atë të shteteve të BE-së, sidomos sa i përket sanksioneve ndaj Rusisë për agresionin e paprovokur ndaj Ukrainës, ai ka thënë se kjo është çështja thelbësore për përparimin e shtetit serb drejt anëtarësimit në BE.

“Pas agresionit rus, politika e jashtme po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme dhe ne duam ta llogarisim Serbinë si një partner të sinqertë, prandaj duhet të ketë një harmonizim progresiv me politikën e jashtme të BE-së. Përafrimi i politikës së jashtme ka qenë pjesë e procesit të negociatave nga dita e parë dhe sot ka fituar rëndësi”.

Zyrtarët serbë vazhdimisht kanë përsëritur se Beogradi nuk do të mbështesë sanksionet ndaj Moskës, pasi kështu mbronë “interesat vitale” të shtetit, sepse Serbia po ashtu mbështetet në Rusinë, që është anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore