Lajme

Gëzuar për “Çakolin” e Demalkacionin” – Urime “lëshimin e Bajrakut”


Foto nga Albanian Post

Për një kohë të gjatë sharja mes dy personave është nënkuptuar si mospëlqim i theksuar mes tyre, por psikologët – kryesisht në studime realizuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës – gjetën se në fakt e kundërta është e vërtetë. Në shumicën e rasteve sharja nënkupton afërsi.

Ata argumentonin se sharja mes shokësh është njëri nga shembujt që tregon intimitet dhe sinqeritet në raport. Më pas edhe autorë si profesori Michael Adams do ta nxjerrnin teorinë nga akademia për t’ia servuar gjetjen masës me libra si “In Praise of Profanity (Në/Duke lavdëruar sharjen”.

“Nëse doni të lidheni me dikë, shani ata”, thoshte Adams.

Nuk ka shokë më të mirë në skenën politike në Kosovë se sa Albin Kurti dhe Ramush Haradinaj dhe për ta provuar shkencërisht shoqërinë ata shahen shumë dhe fort me njeri tjetrin.

Hajn”, “mashtrues”, “mercenar”, “i cekët”, “peng i Serbisë”, “pseudo-patriot”, “zhvatës”, “shkurtpamës”, janë vetëm disa nga sharjet që Kurti e Haradinaj ia kanë bërë njëri tjetrit për gjatë viteve të shoqërisë së tyre në jetën politike.

Por, në të njëjtën kohë, përkundër gjithë këtyre sharjeve, asnjëherë tjetër s’ka pasur një bashkëpunim më të suksesshëm opozitar në Kosovë sesa koha kur Kurti e Haradinaj u bën bashkë për të luftuar kundër copëtimit të Kosovës përmes Zajednicës dhe faljes së tokës përmes Demarkacionit me Malin e Zi.

Dhe kjo nuk është historia e parë e bashkëpunimit.

Në vitin 2014 Kurti e Haradinaj ishin bërë bashkë edhe me Lidhjen Demokratike duke dashur të marrin pozitat udhëheqëse pas zgjedhjeve, përkundër se patën humbur nga Partia Demokratike e Kosovës.

“Kjo nuk është garë automobilash që të ketë rendësi se kush ka dal i pari”, argumentonte Kurti, “mandati u takon atyre që e bëjnë shumicën pas zgjedhjeve”.

Po të mos ishte një vendim i Gjykatës Kushtetuese që do sqaronte se parlamentin e udhëheqë fituesi i zgjedhjeve dhe mandatari fillimisht duhet të vijë nga partia fituese, Kosova do prodhonte një nga deformimet më unike në historinë e shteteve që rregullohen me parlament për shkak të kësaj shoqërie.

Atëbotë, Vetëvendosje kishte pranuar të bashkëpunojë për herë të parë me partitë e sistemit të cilat i quante parti hajdutësh.

Por, atëherë Kurti e kishte më pak shok Haradinajn, prandaj e shante më pak.

Në një shpjegim që Vetëvendosje bënte për ta arsyetuar bashkëpunimin me partitë që kishte kritikuar për një kohë të gjatë, Kurti thoshte se hajnat e mëdhenj janë në PDK – Haradinaj e Isa Mustafa i LDK-së ishin hajna, por më të vegjël.

Ofendimet dhe sharjet e mëdha Haradinaj e Kurti do ia shërbenin njëri tjetrit pas përvojës së përbashkët opozitare kundër PDK-së e LDK-së në pushtet më vonë.

Kur kjo të kalonte dhe shoqëria të shtrëngohej, do të ishte hera e parë që do të dëgjohej në Kuvendin e Kosovës se si dikush ia konteston kontributin e luftës familjes Haradinaj.

Në një seancë parlamentare në mandatin e parë të Kurtit si kryeministër, ai u thoshte vëllezërve Haradinaj se “patriot nuk mund të jesh i kufizuar në kohë, duhet tërë jetën”.

“Ka shumë njerëz që një pjesë të jetës kanë qenë patriot, e mandej… jo patriot e thënë but”, vazhdonte Kurti.

“Po del diqysh që s’e ke dashtë vendin tonë e po don’ njëfarë shpërblimi meqenëse paske luftu për vendin tond…”.

“Kjo është logjikë mercenari, mercenari shkon në luftë e paguhet, e këtu po i bjen që duhet me marrë vetë, meqë s’ka kush ju pagunë”, i thoshte Kurti shokut të tij dhe vëllait të shokut Dautit.

Më pas, në një tjetër rast, Kurti i sugjeronte Haradinajt që “mos shit patriotizëm se të njoh mirë”.

Në anën tjetër Haradinaj, pikërisht që njiheshin mirë, e quante Kurtin “mashtrues”.

Ka rrezik nga ky mashtrues ordiner”, deklaronte Haradinaj “dhe po mashtron popullin e Kosovës me një qasje mjaft të rrezikshme”.

Madje Haradinaj shpaloste në një seancë parlamentare se si “ky mashtruesi” një herë kishte dashur të bëjë luftë me policinë.

Ky mashtruesi ka dashur t’i shtijë që ushtarët e Ramushit, të UÇK-së, të Dukagjinit, me luftu me policinë tonë në ndërtesë të qeverisë”.

Para se ky tekst të shpalosë sharje të tjera mes Kurtit e Haradinajt, nevojitet edhe një sqarim shtesë rreth teorisë së provuar shkencërisht për afërsinë me sharje.

Nuk duhet të krijohet ide e gabuar që sharjet mes shokësh nuk janë të menduara dhe të sinqerta. Është pikërisht e vërteta në ato sharje që krijon afërsinë. Siç shpjegon Belen Lopez-Perez, profesorja nga Universiteti i Mançesterit, ekziston një përpjekje e sinqertë altruiste në tentimin që shoku bën për të përkeqësuar gjendjen shpirtërore të tjetrit.

Cruel to Be Kind”, thotë ajo, pra “i ligë për të qenë dashamirës”.

Vërtet dashamirës i ligë ishte treguar edhe Kurti me Haradinajn, kur ia kishte përqeshur kauzën e përbashkët për Demarkacionin me Malin e Zi.

Duke prodhuar një version të shëmtuar në imitimin për mënyrën e shqiptimit të fjalëve nga Haradinaj, Kurti ia kishte shpjeguar me një recitim për mbamendje se si ai “kishte lëshuar bajrakun”, po sa kishte ardhur “n’karrige t’kryeministrit”.

“Demalkaconi, Demalkacioni, Çakoli, Xhlepi, Xhlepi, Çakoli, Demalkacioni, tap n’karrigë t’kryeministrit, e l’shut Bajrakun”.

“Ju e merrni Bajrakun e në fund e lëshoni për karrige”, vazhdonte përshkrimi i Kurtit për Haradinajt.

Por, për ta dëshmuar shoqërinë në një nivel tjetër, Haradinaj pas këtyre talljeve të Kurtit kishte shpërthyer.

Më vonë, me statuse në llogarinë e tij në Facebook dhe intervista në televizione, Haradinaj kishte ngritur shqetësimin e tij se Kurti punon për Serbinë.

Kimia, përbërja e tij si person është pak serbe”, pati thënë Haradinaj në një emision televiziv, derisa përtej kimisë kaloi pak edhe në histori, duke pohuar se “Kurti është shoqëruar shumë me OJQ serbe, me krejt ato kur ka qenë në KAN, shihet që hala këto ia kanë një virus”.

“Ai kur folke për bashkimin kombëtar po shihet që në mendje e ka pas Serbinë”, thoshte Haradinaj në emisionin Këndi i Debatit në Tëvë1.

Në një rast tjetër, të gjitha dyshimet e tij për bashkëpunim me Serbinë, Haradinaj ia kishte thënë Kurtit në parlament.

A je i rekrutuar nga shërbimet serbe gjatë kohës sa je mbajt në burg? Pra, a mban Serbia diçka mbi ty, që të mban peng sot e kësaj dite. Pra, a është më në rrezik Kosova prej teje, si i rekrutuar nga shërbimet serbe gjatë qëndrimit tënd në burg…”.

Historia e sharjeve mes Haradinajt e Kurtit është shumë më e gjatë, por kryesisht brenda të njëjtave akuza.

Gjithsesi, kur furtunat e ofendimeve e sharjeve kalojnë, Kurti e Haradinaj e rigjejnë njëri tjetrin.

Një fragment i këtillë u pa edhe me 24 mars në Gllogjan, në përvjetorin e bombardimeve të NATO-s dhe Epopenë e Dukagjinit.

Kurti lartësoi shumë figurën e Haradinajt në fjalimin e tij si luftëtar i paepur për liri, derisa Haradinaj e priti në kullë më pas.

Të dy, bashkë dhe me përcjellës të tjerë, ngrehën një dolli me raki shpie dhe uruan njëri tjetrin për kushedi çka.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore