Kosova

Gërvallës tash s’i pëlqen as Sarrazin-i: “Shkurtpamës”, “i ngutshëm” “po shfrytëzon mediat për presion”


Ilustrim: Donika Gërvalla dhe Manuel Sarrazin

Pas të deleguarit të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, është i dërguari i posaçëm i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ai i cili ka humbur respektin e Qeverisë së Kosovës dhe rrjedhimisht është shndërruar në një personazh negativ, pasi ky i fundit po kërkon me ngulm pezullimin e vendimit për ndalimin e futjes së mallrave serbe në Kosovë në kuadër në kuadër të CEFTA-së – Marrëveshja për Tregti të Lirë – për të mirën dhe të ardhmen evropiane të Kosovës.

Ky mospëlqim i ekzekutivit ndaj diplomatit gjerman u artikulua së fundmi nga ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla.

Sarrazin nga Gërvalla u cilësua si “shkurtpamës” “i ngutshëm” dhe si shfrytëzues i mediave “për të ushtruar presion” ndaj Kosovës.

Duke potencuar se Procesi i Berlinit ka nisur duke e trajtuar Kosovën si një prej gjashtë shteteve të barabarta të rajonit, Gërvalla vlerësoi se nëse një qasje e tillë ka ndryshuar rishtazi atëherë Sarrazin i ka borxh Kosovës ta komunikojë një gjë të tillë.

“Manuel Sarrazin i ka borxh Kosovës të na tregojë që kjo qasje paska ndryshuar, pra që Procesi i Berlinit, pra që Gjermania nuk po e trajtoka Kosovën më të barabartë”, tha ajo në një intervistë për Klan Kosovën, duke potencuar se ajo nuk beson se Gjermania ndonjëherë do e trajtojë Kosovën “si jo të barabartë”.

Kompromisi i kërkuar nga diplomati gjerman që Kosova ta pezullojë vendimin për ndalimin e futjes së mallrave serbe në vend, sipas zëvendësministres së Kosovës është një qasje “e ngutshme” e Sarrazin.

“Procesi është në vazhdim e sipër, ende nuk ka përfunduar, prandaj është e ngutshme që Manuel Sarrazin të vijë në Prishtinë edhe nëpërmjet mediave të jap deklarata të cilat mund të shihen si presion ndaj njërës palë, kjo nuk është qasja e cila krijon dhe forcon partneritet sepse Kosova nuk është koloni e askujt, absolutisht nuk është koloni e askujt, është shtet i qytetarëve të saj”, shtoi ajo

Kryediplomatja e ka kritikuar Sarrazin-in që po i shfrytëzon studiot televizive “për të rritur presionin” ndaj Qeverisë së Kosovës, gjë që sipas saj, tregon një shkurtpamësi të tij në raport me arritjen e një rezultati “tash dhe shpejtë”.

“Në vend të një pune intensive për të arritur sukses afatgjatë”, shtoi ajo.

Gjatë intervistës, Gërvalla – për të tretën herë me radhë kritikoi Gjermaninë për lidhjen e një marrëveshjeje me Serbinë.

“Nuk mund të blihet paqja në rajon me litiumin”, tha ajo duke iu referuar marrëveshjes së burimeve të litiumit që shteti gjerman lidhi me Serbinë, javë më parë.

Ajo sërish duke dhënë si referencë Gjermaninë për lidhjen e një marrëveshjeje të gazit me Rusinë tha se “nuk kanë mundur të blejnë paqe në rajonin rreth Rusisë dhe fqinjëve të vetë as përmes gazit”.

Çfarë po kërkon Sarrazin?

Sarrazin, javë më parë vizitoi Kosovën dy here brenda tetë ditëve, me synim për të bërë përgatitjet e duhura për Procesin e Berlinit dhe bashkëpunimin rajonal, për të cilat tema takoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

Diplomati gjerman në dy këto takime insistoi që Kosova të pezullojë vendimin për ndalimin e futjes së mallrave serbe në Kosovë.

Sarrazin konfirmoi se në të dyja vizitat që ka zhvilluar në Kosovë ka marrë përgjigje negative nga Kurti në kërkesën për një kompromis në kuadër të CEFTA-së – Marrëveshja për Tregti të Lirë.

Qeveria e Kosovës e ka ndaluar importin e mallrave nga Serbia më 15 qershor të vitit të kaluar, një ditë pasi forcat serbe kishin arrestuar tre policë të Kosovës.

Në një intervistë së fundmi për Radio Televizionin e Kosovës, RTK, diplomati gjerman teksa potencoi se Kosova nuk mund t’i bllokojë shtetet e tjera të rajonit në këtë proces tha se “nuk do ta ftojmë Kosovën në mekanizimin e përkohshëm nëse nuk lëvizet në heqjen e masave tregtare”.

Sarrazin ka përmendur edhe pasojat me të cilat mund të përballet Kosova në rast se nuk vepron konform këshillave gjermane për CEFTA-n, duke përmendur se në Bruksel, disa njerëz po i thoshin se nëse Kosova e bllokon CEFTA-n, do të jetë shumë vështirë që t’i bashkëngjitet pastaj Planit të Rritjes të BE-së

“Nganjëherë është më mirë të nënshkruash marrëveshjen se sa të presësh më vonë, sepse mund të lëvizë edhe çmimi. Isha në Bruksel dhe disa njerëz po më thoshin se nëse Kosova bllokon CEFTA-n do të jetë shumë e vështirë që t’i bashkëngjitet pastaj Planit të Rritjes dhe qasjes në tregun e BE-së”.

Sipas tij me këtë qasje negative, me pasoja do të ballafaqohen qytetarët.

“Pra, thjesht mund ta bllokoni vetën, nuk mund t’i bllokoni të tjerët”, ka ripotencuar ai.

Çfarë ofroi Kosova?

Ndryshe nga Sarrazin, këshilltari i kryeministrit të Kosovës, Jeton Zulfaj, ka thënë se gjatë takimit Kurti – Sarrazin është gjetur një zgjidhje kompromisi mbi mundësinë e zhbllokimit të vendimit për ndalimin e importit të mallrave nga Serbia në kuadër të CEFTA-së, por ka qenë Serbia ajo që e ka kushtëzuar këtë zgjidhje.

“Pas tre vjetësh bllokadë të Serbisë brenda CEFTA-s, ne kemi një zgjidhje kompromisi. Serbia tash e ka kushtëzuar këtë zgjidhje me heqjen e masave të sigurisë së Kosovës në pikat kufitare me Serbinë. Këto dy çështje nuk kanë lidhje”, ka shkruar Zulfaj.

Masat e Kosovës, ka sqaruar më tej Zulfaj, nuk kanë të bëjnë me tregtinë, por rrjedhin “nga kërcënimet ndaj sigurisë sonë kombëtare, të zbatuara jo nga ministri ynë i tregtisë, por nga autoritetet tona të sigurisë”.

CEFTA dhe Kosova

Kosova është anëtare e CEFTA-s prej vitit 2007, por përfaqësohet përmes Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK).

Mu për këtë arsye Gjermania në këmbim të heqjes së pengesave kundrejt mallrave serbe, Kosovës i ka ofruar përfaqësimin me asterisk në CEFTA, e jo më nëpërmjet UNMIK-ut.

CEFTA ka për qëllim lehtësimin e shkëmbimeve tregtare të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Shtetet tjera anëtare të CEFTA-s janë Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Serbia, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Moldavia.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore