Kosova

Gërvalla u bën thirrje diasporës për regjistrim: Bëhet përmes formularit online


Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka bërë thirrje që diaspora të merr pjesë në regjistrimin e popullsisë.

Përmes një komunikate për media nga MPJD është thënë se regjistrimi i popullsisë do të bëhet online.

“Republika e Kosovës ka nisur regjistrimin online të Diasporës në kuadër të Procesit të Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave, kjo me qëllim që edhe diaspora si pjesë e pandashme e Kosovës të marrë pjesë në këtë proces”, thuhet në komunikatë.

“Regjistrimi i të gjithë qytetarëve që janë lindur në Kosovë ose që kanë prejardhje nga Kosova, por që jetojnë jashtë Kosovës mund të bëhet përmes formularit online që gjendet në: ediaspora.rks-gov.net”.

Ndërsa, është sqaruar se moduli i regjistrimit të diasporës është duke u implementuar në kuadër të platformës eDiaspora.

“Përfshinë iniciativën e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës në bashkëpunim me Agjencinë e Statistikave të Kosovës për mbështetjen e procesit të regjistrimit të pjesëtarëve të Diasporës”.

“Regjistrimi i Popullsisë realizohet nga data 5 prill deri më 17 maj 2024, dhe përfshinë një prej proceseve më të rëndësishme zhvillimore për vendin”.

Sipas MPJD-së, diaspora është pjesë integrale e shoqërisë kosovare, andaj pjesëmarrja e çdo pjesëtari të diasporës është kontribut i drejtpërdrejtë për këtë proces të rëndësishëm për vendin.

Procesi për regjistrimin e popullsisë pritet të zgjasë deri më 17 maj, pjesëmarrja në regjistrim është e obligueshme me ligj.

Ndërsa në rast refuzimi, qytetari mund të penalizohet me gjobitje prej 30 deri në 2 mijë euro.

Procesi i regjistrimit të popullsisë në Kosovë për herë të fundit ishte organizuar në vitin 2011.

Edhe në vitin 2011 serbët kanë refuzuar të marrin pjesë në këtë proces, sipas këtij regjistrimi, Kosova ka mbi 1.7 milionë banorë.

Ndryshe fillimi i procesit u shty për disa herë.

Regjistrimi i popullsisë fillimisht ishte paraparë të nis më 1 shtator të vitit të kaluar, ai u shty për 1 nëntor, për t’u shtyrë më pas përsëri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore