Kosova

Gërvalla takon Cramon, flasin për situatën në Ukrainë


Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka takuar raportuesen për Kosovë në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, me të cilën ka biseduar situatën në Ukrainë dhe për gazetarët ukrainas që pritet të vijnë në Kosovë.

“Ministrja Gërvalla tregoi përkushtimin e Republikës së Kosovës për t’i mbrojtur vlerat e përbashkëta demokratike evropiane duke iu bashkuar BE-së dhe SHBA-ve për vendosjen e sanksioneve ekonomike dhe financiare ndaj Federatës Ruse, vendimin për t’i mirëpritur gazetarët ukrainas përmes bashkëpunimit me Federatën Evropiane të Gazetarëve dhe Qendrën Evropiane për Liri të Medias dhe Shtypit dhe për t’iu ofruar mbështetje financiare”, thuhet në njoftimin e kësaj ministrie.

Sipas njoftimit, u diskutua rreth hapave konkret që Institucionet e Republikës së Kosovës kanë ndërmarrë për t’u solidarizuar me popullin e Ukrainës dhe për t’iu bashkuar botës demokratike në dënimin e agresionit ushtarak të Federatës Ruse në Ukrainë.

Cramon, të enjten e tre marsit do të zhvillojë një takim me kryeparlamentarin Glauk Konjufca, me fillim në ora 9:00.

“Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, pret në takim Raportuesen për Kosovë në Parlamentin Evropian, znj. Viola von Cramon”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, Cramon kishte vizituar Kosovën më katër nëntor të vitit të kaluar në margjinat e takimit të shtatë të Komisionit Parlamentar për Stabilizim-Asociim Bashkimi Evropian– Kosovë, ku kishte potencuar rendësin e dialogut Kosovë-Serbi, pasi sipas saj bisedimet janë elementi kryesor për rrugëtimin e të dyja vendeve drejt Bashkimit Evropian.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore