Gërvalla shprehet optimiste se Kosova në maj anëtarësohet në Këshill të Evropës

SHFLETO

Donika Gërvalla

 

Armat Matoshi
14.03.2024 21:29
Loading Icons...

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës (MPJD), Donika Gërvalla-Schwarz, në një intervistë për televizionin “A” të enjten, u shpreh optimiste se kërkesa e Kosovës për anëtarësim në Këshill të Evropës (KiE) do të kalojë Asamblenë Parlamentare (APKE) në mes të prillit, derisa shtoi se do të duhen 2/3 e votave që kërkesa t’i kalojë Këshillit të Ministrave.

“Në mes të prillit pritet të diskutohet kërkesa në APKE dhe të vihet në votim… Unë mendoj që numri i përkrahësve për anëtarësimin e Kosovës në këtë institucion është masiv. Nëse në prill kalon kërkesa jonë – merr votën masive për të kaluar në rekomandimin e Këshillit të Ministrave – atëherë shpresoj që në maj Kosova do të jetë anëtarja më e re”, tha Gërvalla.

Kosova aplikoi për anëtarësim në KiE në maj të vitit 2022, por mos zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit ishte bërë pengesë që vendi i vogël ballkanik të vazhdojë rrugëtimin drejt anëtarësimit në KiE, posaçërisht sepse të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit janë dy vlerat themelore mbi të cilat bazohet panteoni i kombeve evropiane.

Megjithatë, shefja e diplomacisë kosovare dërgoi të mërkurën notë verbale njoftuese në adresën e KiE-së lidhur me hapin e fundit që ndërmori Qeveria e Kosovës në drejtim të zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të vitit 2016 për pronat përreth Manastirit të Deçanit. E në këtë intervistë, kryediplomatja shtoi se kjo është mundësi që s’bën të huqet.

“Ne kemi një cak tani që nuk duam ta humbim – caku ynë i domosdoshëm është vota e APKE-së. Nëse kërkesa e Kosovës del në agjendë dhe ne marrim votën, atëherë e konsiderojmë të mbyllur synimin tonë për këtë vit. Kjo nuk do të thotë që nuk do të bëjmë një fushatë të jashtëzakonshme, por nuk kam dëshirë t’i ngre pritjet kaq lartë”, shtoi ministrja Gërvalla.

Në mbledhjen e fundit të ekzekutivit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi se vendimi për Manastirin e Deçanit u mor  nga “arsyeja e shëndoshë” që Kosovës t’i hapet rruga për anëtarësim në KiE, duke shënuar një hap kyç drejt sundimit të ligjit dhe shtetit të së drejtës. E këtë lëvizje drejt zgjidhjes e përshëndeti menjëherë bashkësia e organizuar ndërkombëtare.