Kosova

Gërvalla: Kidnapimi i policëve brenda territorit të Kosovës “akt agresioni” dhe “shkelje e normave ndërkombëtare” nga Serbia


Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz dhe Ambasadori i Çekisë në Kosovë, Pavel Bilek.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz në takimin lamtumirës me Ambasadorin e Çekisë në Kosovë, Pavel Bilek, ka diskutuar edhe për kidnapimin e policëve të Kosovës nga ana e Serbisë.

Gërvalla në këtë takim ka thënë se ky, “është një akt i agresioni i Serbisë” dhe “shkelje e normave ndërkombëtare”.

“Ministrja Gërvalla tha se ky akt është shkelje e Kushtetutës, sovranitetit, rendit ligjor dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës, si dhe shkelje e Marrëveshjes tekniko-ushtarake të Kumanovës, të vitit 1999”, thuhet në komunikatën e publikuar nga MPJD.

Ajo tutje ka kërkuar që i gjithë komuniteti ndërkombëtar të dënojë këtë akt dhe policët të lirohen sa më parë dhe pa kushte.

Ndërsa sa i përket mbështetjes së Çekisë ndaj Kosovës, Gërvalla e vlerësoi lart mbështetjen e palëkundur të tyre në rrugëtimin evropian.

“Ministrja Gërvalla e vlerësoi mbështetjen e palëkundur të Çekisë në rrugëtimin evropian të Republikës së Kosovës, sidomos gjatë kryesimit të Presidencës Çeke të Këshillit të Bashkimit Evropian, gjatë të cilës Kosova arriti të ketë vendimin politik dhe pajtueshmërinë e shteteve anëtare mbi liberalizimin e vizave dhe njëherit zyrtarisht pranuan në Pragë aplikimin e vendit tonë për anëtarësim në BE”.

Gërvalla tutje në mbyllje të takimit e falënderoi ambasadorin Bilek për rolin dhe kontributin e tij, duke i uruar suksese të mëtejshme në angazhimet e radhës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore