Gërvalla për heqjen e masave nga BE-ja: S’di çfarë të them – Borrell ka qenë joparimor

SHFLETO
Valon Rashiti
09.06.2024 13:07
Loading Icons...

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka thënë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kërkesat e Bashkimit Evropian për de-eskalim të situatës në Veri, por ka theksuar se nuk është shumë optimiste që Kosovës do t’i hiqen masat nga Bashkimi Evropian, meqë ka theksuar se përfaqësuesi i lartë i për Politikë të Jashtme e Siguri, Josep Borrell, ka pasur një “qasjes joparimore”.

“Joparimor ka qenë qëndrimi i Borrellit në përgjithësi ndaj temave mes Kosovës dhe Serbisë dhe nuk është se kam pritje të larta në hapat e fundit që mund dhe duhet të ndërmerren. Ato masa kanë qenë objekt i një negocimi të zëvendëskryeministrit, Besnik Bislimi me emisarin Miroslav Lajçakun në Bratislav. Jo vetëm që janë përmbushur ato pesë pika për të cilat janë kuptuar, por janë mbi përmbushur shumëfish, prandaj nuk e di çfarë të them”, tha Gërvalla në një intervistë për agjencinë e lajmeve “Kosova Press”.

Masat ndaj Kosovës ishin vendosur para një viti si përgjigje ndaj përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri të Kosovës kur Kosova dërgoi në ndërtesat e komunave kryetarët shqiptarë të dalë nga zgjedhjet që u bojkotuan nga serbët

Masat e vendosura nga BE-ja ndaj Kosovës përfshinin: suspendimin e përkohshëm të grupeve punuese për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimn e vizitave bilaterale.

Gjithashtu, u suspendua edhe programimi i fondeve për Kosovën, të cilat ishin paraparë të dorëzoheshin përmes Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor dhe IPA 2024 (Intrumentet e Para-Anëtarësimit).

Ndryshe, Borrell pritet të dorëzojë javën e ardhshme raportin lidhur me hapat që ka bërë Kosova në përmbushje të kushteve për shtensionim të situatës në Veri dhe nga ky raport varet nëse do të hiqen masat e BE-së ndaj Kosovës.

Në këtë raport po ashtu do të përfshihen edhe operacionet e autoriteteve të Kosovës për mbylljen e objekteve të Bankës Kursimore të Postës së Serbisë, në Veri.

Policia e Kosovës së bashku me Agjencinë Tatimore, me autorizim të Prokurorisë, më 20 maj, kishte zhvilluar një aksion në Veri për shkak të dyshimit se disa biznese po zhvillonin veprimtari të kundërligjshme.