Gërvalla për Diário de Notícias: S’kemi arritur marrëveshje në Ohër, Serbia s’e ka nënshkruar; Gërvalla për Zërin e Amerikës: Kemi arritur marrëveshje në Ohër

Nga “Kosova dhe Serbia nuk kanë mundur të arrijnë një Marrëveshje”, tek “të dyja palët janë dakordësuar për Marrëveshjen Bazë fillimisht në Bruksel e më vonë në Ohër”.
Të dyja këto deklarata i takojnë ministres së Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla.
“Zgjidhja e shkëlqyer për të gjitha problemet njerëzore është transformimi i brendshëm”, thotë një maksimë, por ndryshimi i Gërvallës përbën më shumë ndryshim për shkak të nevojës së pozicionit të ri, sesa vetëdijesim mbi faktet.
Mbetet i pakuptimtë transformimi i kryediplomates kosovare kur që nga dita e parë ishte e qartë se Kosova dhe Serbia më 27 shkurt në Bruksel e më pastaj më 18 mars në Ohër ishin pajtuar për planin franko-gjerman, i konvertuar, atëbotë, në një Marrëveshje me 11 nene.
Përveç mediave vendore e rajonale, për arritjen e Marrëveshjes kishin raportuar edhe mediat më prestigjioze ndërkombëtare.
Sikur të mos mjaftonte kjo, për 25 minuta pa u ndalur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte raportuar me fjalët hyrëse në seancën e Kuvendit të Kosovës për Marrëveshjen e arritur në Bruksel dhe për pajtimin rreth aneksit të implementimit të 11 neneve të Ujdisë.
Marrëveshjen si të arritur e konsideroi edhe Bashkimi Evropian dhe e publikoi si dokument zyrtar në faqen e BE-së.
Dakordimi i vulosur në Bruksel e më pastaj në Ohër ishte Marrëveshje edhe për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, madje sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, i kishte përgëzuar palët.
Prapë, Gërvalla besonte se as Bruksel e as në Ohër, s’është arritur marrëveshje.
Ani pse BE-ja si ndërmjetësuese e procesit kishte deklaruar qartësisht se Marrëveshja për normalizimin e raporteve ishte ligjërisht e obligueshme edhe pa firmat zyrtare të dyja palëve, Gërvalla, asokohe, kërkonte që Unioni ta qortojë Serbinë për mos-konstruktivitet.
“E vërteta është se ne ende nuk kemi Marrëveshje me Serbinë. Ne ishim gati për një Marrëveshje, por çuditërisht Serbia nuk ishte gati për këtë. Serbia thjesht vazhdon lojën e saj të vjetër me deklarata dhe kur afrohet dita e nënshkrimeve, refuzon”, thoshte Gërvalla në një intervistë për të përditshmen portugeze, Diário de Notícias.
121 ditë më vonë, Gërvalla, befasisht do të deklaronte të kundërtën asaj që kishte frazuar në një gazetë portugeze.
Ndonëse Marrëveshja e Bazë mbetet e panënshkruar edhe sot e kësaj dite nga liderët e të dyja vendeve cilësimi i Gërvallës për Ujdinë ka ndryshuar.
Më 19 shtator Gërvalla në një intervistë për Zërin e Amerikës ka pranuar ekzistencën e Marrëveshjes duke theksuar se ajo duhet të zbatohet.
“Qeveria e Kosovës në fakt institucionet në përgjithësi janë zotuar dhe kanë pranuar një propozim fillimisht të quajtur franko-gjerman, i cili parasheh njohjen defacto të Kosovës nga ana e Serbisë, kjo marrëveshje për të cilën jemi dakorduar në Bruksel dhe më vonë edhe në Ohër, të dyja palët edhe Serbia edhe Kosova, kjo është udhërrëfyesi ynë drejt një marrëveshjeje për normalizim”, tha ajo.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com